Haradinaj-Stublla në Hagë, takon bashkëatdhetarët: Bashkë do ta ndërtojmë dhe fuqizojmë Kosovën

 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla gjatë qëndrimit zyrtar në Hagë të Holandës, ka takuar bashkëatdhetarë dhe përfaqësues nga shoqata “Kosova” dhe shoqata “Shqiptarët në Holandë”.

Ministrja Haradinaj ka thënë se ndihet krenare që edhe brezi i ri në diasporë po ruan gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare.

“Fillova sot takimet në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Hagë, me diasporën tonë nga shoqata “Kosova” dhe shoqata “Shqiptarët në Holandë”.

Brezi i ri i diasporës së mirëintegruar dhe shkolluar, kanë prekur majat e sukeseseve, dhe kjo na bënë pafundësisht krenarë”, është shprehur Haradinaj-Stublla.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se bashkë kanë diskutuar për projekte konkrete për Kosovën, dhe sidomos për ruajtjen e gjuhës shqipe e cila forcon lidhjen me vendlindjen.

“Duke ua dërguar të falat më të përzemërta nga Kosova, diskutuam së bashku për projekte konkrete të përbashkëta, mbi gjuhën shqipe si domosdoshmëri elementare për ruajtjen dhe forcimin e lidhjes së tyre me Kosovën, dhe forma tjera të bashkëpunimit që do i mbajë më afër me Kosovën”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.

Duke i njoftuar edhe për aktualitetin politik në Kosovë, kryediplomatja Haradinaj ka shprehur bindjen se bashkë me diasporën do ta fuqizojnë shtetin e Kosovës.

“Njëkohësisht i njoftova mbi sfidat dhe të arriturat e Kosovës dhe synimet tona të përbashkëta për të ndërtuar dhe fuqizuar shtetin tonë brenda dhe jashtë tij”, ka përfunduar Haradinaj- Stublla.

Shefja e diplomacisë po qëndron për vizitë zyrtare në Hagë ku do të takojë zyrtarë të lartë të shteti dhe do të nëshkruaj një marrëveshje bashkëpunimi./21Media

Back to top button