Haradinaj synon kyçjen e të rinjve në tregun e punës

Sipas Haradinajt qasja e të rinjve në tregun e punës është vështirësi që duhet zgjidhur

Në lansimin e Strategjisë Sektoriale 2018-2022 dhe lansimin e Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve, dokumente këto të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kryeministri Ramush Haradinaj tha se qasja e të rinjve në tregun e punës është një prej vështirësive të cilën Kosova duhet zgjidhur.

“Një ndër detyrat më të vështira të Kosovës, është kyçja e të rinjve në tregun e punës, kyçja e kategorive të margjinalizuara. Nuk do të jetë proces i lehtë, por unë si kryeministër e ndjejë se e kam këtë detyrë dhe kuptoj se sado e vështirë që është duhet të fillojmë së bashku me partnerët tanë të gjejmë zgjidhje”, tha Haradinaj.

Në fjalën e tij, Haradinaj bëri thirrje që askush në çfarëdo situate të mos e mohoj kualitetin, të mos e mohoj ekspertizën dhe t’i lejojmë të rinjtë tanë që kanë kualitet ta shohin perspektivën, mundësinë e vet dhe ta kenë një vend pune.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se këto dy dokumente janë pjesë e spektrit të dokumenteve strategjike të Qeverisë së Kosovës dhe pjesë e Agjendës Evropiane, që si bosht orientimi kanë zhvillimin e vendit, punësimin dhe aftësimin profesional dhe ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve në përgjithësi.

“Ne tashmë e dimë, se papunësia është një nga problemet e mëdha të vendit tonë dhe për këtë në Strategjinë Sektoriale të MPMS dhe Planit të Punësimit të të rinjve, punësimit i është kushtuar një vëmendje e posaçme, posaçërisht punësimit të të rinjve dhe grupeve të cenueshme”, tha Reçica.

Me një fjalë të pranishmëve iu drejtuar edhe përfaqësuesi i Zyrë së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ndërsa prezantimin e përmbledhur të Strategjisë Sektoriale dhe Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve e bëri drejtori i Departamentit për Koordinimi të Politikave dhe Integrimit Evropian, Lulzim Karaxha.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është i kënaqur me fillimin e zbatimit konkret të strategjisë së paraparë për punësimin e të rinjve, duke identifikuar veprimet dhe duke i kalkuluar ato.

Sipas të dhënave  nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë është 30.6 për qind, kurse papunësia më e theksuar është te grup moshat 15-24 vjeç në 55.9 për qind./21Media

Back to top button