Haradinaj takohet me taksapaguesin dhe punëdhënësin më të madh në vend

Kryeministri iu jep mbështetje prodhuesve për depërtimin në tregjet ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka vizituar ”Egi Group” në kuadër të Elkos Group me pronar Ramiz Kelmendin.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, tha se Elkos Group, është një ndër taksapaguesit dhe punëdhënësit më të mëdhënj në vend.

I pari i Qeverisë u shpreh se kjo kompani i ka dhënë shtytje në vazhdimësi ekonomisë së Kosovës.

“Vizitova sot ambientet e fabrikave të ”Egi Group” në kuadër të Elkos Group, ku u njoha nga afër me rritjen progresive të sasisë së shitjeve në treg të prodhimeve cilësore të fabrikës ushqimore PI&KI, të leckave të lagura dhe atë të qeseve të plastikës, si dhe mora inputet për hapat e ardhshëm që Qeveria duhet të ndërmerr për fuqizimin e prodhuesve vendor”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri theksoi se Kosova me tatimet më të ulëta në Evropë si dhe lehtësirat tjera fiskale, iu jep mbështetje prodhuesve për zgjerim të kapaciteteve dhe depërtimin në tregjet ndërkombëtare, e në të njëjtën kohë për të rritur numrin e punëtorëve dhe të ardhurat për punonjësit./21Media

 

Back to top button