Haradinaj: Taksa nuk është kundër Amerikës, por kundër Rusisë

Haradinaj: Taksa nuk hiqet pa njohje,

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ripërsëritur se taksa ndaj Serbisë nuk do të largohet deri në njohjen e Kosovës nga shteti fqinj.

Ai ka folur edhe për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve, ku ka thënë se ata që po i përkthejnë vendimet e Qeverisë së Kosovës kundër Amerikës, e kanë gabim.

Sipas Haradinajt, taksa nuk është vendosur kundër Amerikës, por kundër Rusisë dhe ka shtuar se Serbia dhe Rusia janë duke përdorur të gjitha kapacitet për zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit, ka folur edhe për mundësitë e ndarjes së Kosovës, ku u shpreh se një gjë e tillë kurrë nuk do të ndodhë.

Ai është shprehur i vendosur se nuk të ketë shkëmbim territoresh dhe se Kosova nuk do të japë asnjë pjesë të territorit të saj.

“Po thuhet së duhet me dhanë diçka për njohje, ose territore, kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, pasi shqiptarët boll kanë dhanë territore”, ka thënë ai. Këto komente Haradinaj i ka bërë në akademinë përkujtimore dedikuar 575 vjetorit të Lidhjes së Lezhës në Klinë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës në nëntor të vitit të kaluar. BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova heqjen e menjëhershme të kësaj takse.

 

Back to top button