Haradinaj: Të papranueshme kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Policisë nga komuniteti serb në veri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj kërcënimeve që i janë bërë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb në veri të vendit.

Haradinaj përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se këto presione dhe kërcënime janë të papranueshme dhe përpjekje për ta penguar qetësimin e situatës.

“Presionet dhe kërcënimet ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera në veri, që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës, janë të papranueshme dhe përpjekje për të sabotuar depërshkallëzimin dhe qetësimin e situatës. Pjesëtarët e komuniteteve pakicë, përfshirë këtu edhe serbët, duhet të lejohen të lirë në realizimin e të drejtave të tyre qytetare”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se qytetarët serbë dhe të secilës pakicë, duhet ta konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre.

“Qytetarët serbë dhe çdo pjesëtar i komuniteteve pakicë duhet ta konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre dhe të integrohen plotësisht në institucionet e Kosovës!”, është shprehur Haradinaj./21Media

Back to top button