Haradinaj: VV mos të bëjë keqpërdorim me të zhvendosurit nga Shqipëria

Haradinaj foli rreth kërkesës për një shtab emergjent

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka kërkuar që mos të keqpërdorët situata me personat e zhvendosur nga Shqipëria për në Kosovë, nga OJQ-të, aktivistë dhe Lëvizja Vetëvendosje. Haradinaj duke folur për kërkesën për një shtab emergjent, ka thënë se kjo është tallje me institucionet e Kosovës.

Ai me vete kishte një listë të veprimeve që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës pas tërmetit në Shqipëri.

“Tani së fundmi e shoh që janë kyçur të tjerë, e shoh interesimin e tyre, i kisha lutur sidomos Lëvizjen Vetëvendosje të garojnë në zgjedhje në Shqipëri, nuk jam kundër, është e drejt e tyre por mos t’i përzije temat, mos të mendoj dikush me përfituar poena me njerëzit e zhvendosur se është rrezik dhe është precedent i keq”, tha ai.

Ai është pyetur edhe për qytetarët e Shqipërisë që kanë ardhur nga zonat e paprekura nga tërmeti.

“Ne çdo shtetas të Shqipërisë që hynë në territori të Kosovës, nuk do ta lëmë jashtë, pa stre, si të ishin të zonës së prekur, sikur të paprekur por nuk është në rregull një zhvendosje pa kriter e njerëzve që vinë nga zonat e paprekura, vinë në kushte mizerie, dikush po i mashtron njerëzit, po i mbush autobusët dhe po i bjen në kushte të vështira këtu, është dimër, nuk është në rregull kjo”, tha ai.

Derisa ka shtuar se shtabi emergjent veç është funksional.

“Unë kam shkuar në vendin e ngjarjes katër ditë pas tërmetit, katër ditë rresht ne kemi punuar këtu, ka njerëz që ditë e natë kanë punuar për të qenë çdo gjë në rregull, ushtarët tanë kanë qenë atje të parët në vendin e ngjarjes, më profesionistët, policët tanë, kush e ka bërë këtë ai shtab e ka bërë këtë, pra mos u talleni me institucionet e juaja. Unë e mirëpres ndihmën dhe kujdesin e secilit por mos të tallen me gjëra tjera, e sidomos e lus Vetëvendosjen se e shoh që kanë një mobilizim të madh, le e të garojnë në Shqipëri, le të shtyhen me Edi Ramën, me Ilir Metën, me Lulzim Bashën por mos të bëjnë keqpërdorim të të ardhurve dhe mos të sjellën në këtë mënyrë sepse nuk është në rregull”, ka thënë ai.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk janë të prekur nga tërmeti që mos të vinë në Kosovë. Ai ka shtuar se dikush po i mashtron se  do t’i dërgojmë në Gjermani.

“Nuk është e vërtet ata që hynë në parkun gjerman i dërgojmë në Gjermani, është mashtrim. Kushdo që vjen aty do ta ketë kujdesin tonë se ne jemi vëllezër por nuk është e vërtet që nga aty i ngarkojmë në aviona dhe i dërgojmë në Gjemani me bileta fal e strehim fal në Gjermani, kjo është një zgjidhje emergjente. Kushdo që është në zor ne i trajtojmë me respekt por mos t’i mashtrojmë për t’i pruar në Kosovë, për shembull shkon atje një këngëtar e mbush një autobus dhe vjen e lëshon midis Prishtinës dhe kërkon shtab emergjent ose shkojnë OJQ-të, mbush automjetet e bjerë këndej, ngadalë duhet të bëhet një planifikim, një koordinim dhe të punohet si i ka hije”, tha ai, duke shtuar se i pari shtet që ka vepruar me efikasitet dhe saktësi, ka qenë Kosova.

Sipas tij, vetëm pak orë pas tërmetit institucionet e Kosovës kanë qenë në ngjarje dhe të gjitha mekanizmat e shtetit kanë qenë funksional dhe janë funksional edhe sot, por nuk ka nevojë për improvizime dhe keqpërdorim të kësaj situate.

Numri i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit ka shkuar në 52, ndërsa mbi 900 mbetën të plagosur dhe shumë të pastrehë.

Back to top button