Harry Bajraktari:  Sami Repishti personalitet i shquar i kombit shqiptar

Është ndarë nga jeta shkrimtari dhe publicisti, Sami Repishti. Harry Bajraktari afarist shqiptar në SHBA ka thënë se Repishti ishte një personalitet i shquar, një intelektual, profesor kolegji, autor librash e shkrimesh, udhëheqës organizatash në komunitet, e njeri shumë i respektuar.

Bajraktari ndër tjera ka shtuar se populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë si një luftëtar të vendosur për pavarësinë e saj dhe do t’ia mbajë gjithmonë gjallë kujtimin.

‘Prof. Sami Repishti, një nga figurat më të shquara jo vetëm në historinë e komunitetit shqiptar por edhe të kombit shqiptar ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 99-vjeçare. Ishte një personalitet i shquar, një intelektual, profesor kolegji, autor librash e shkrimesh, udhëheqës organizatash në komunitet, e njeri shumë i respektuar. U rrit në një familje patriotike dhe veprimtaria e tij në shërbim të kombit ka zgjatur për më shumë se 70 vjet.

Që kur ishte i ri u aktivizua kundër pushtuesve nazistë, por qendrimet e tij patriotike për Kosovën e futën në konflikt me komunistët të cilët e dënuan me 15 vjet burg. U lirua pas 10 vitesh dhe u arratis në Jugosllavi, ku përsëri e burgosën për veprimtarinë e tij politike kombëtare.

Në Shtetet e Bashkuara, u bë shpejt një nga udhëheqësit më të njohur, me dëshmitë e tij në Kongresin Amerikan, me korrespondencat me politikanë e gazetarë, me shkrimet dhe tekstet e protestës. Luajti rol kyç në lobimin për Kosovën dhe shqiptarët në trojet e tyre etnike dhe ishte instrumental në themelimin e organizatave si NAAC, Liga etj. Do të na mungojë shumë Prof. Sami Repishti. Por edhe do të vazhdojë të na frymëzojë me punën dhe veprën e tij të madhe.

Për mua, për familjen time, për shumë nga veprimtarët e komunitetit ka qenë një privilegj dhe një nder i madh që kemi pasur rastin të punojnë me të për dekada me radhë.

Çfarë udhëtimi i jashtëzakonshëm ka qenë jeta e tij!

Por kujtimi më i vyer që do të më mbetet nga Prof Sami Repishti është udhëtimi që bëmë bashkë në prill 2000, në Kosovën e çliruar nga pushtuesi serb. Më kujtohen vizita emocionuese te Varrezat e Jasharëve si dhe mikpritje fenomenale që na bëri Presidenti Ibrahim Rugova në shtëpinë e tij. Ai e njihte mirë dhe e vlerësonte Prof. Repishtin.

Kur e nisi punën Prof. Sami Repishti Kosova nuk ishte në radarin e vëmendjes amerikane, por puna e tij dhe e patriotëve të tjerë dha rezultate, Kosova u bë e lirë dhe e pavarur.

Populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë si një luftëtar të vendosur për pavarësinë e saj dhe do t’ia mbajë gjithmonë gjallë kujtimin.

Shqiptarët kudo në trojet e tyre do ta kujtojnë me respekt dhe mirënjohje sepse e kanë patur një avokat e veprimtar të vendosur për të drejtat e tyre.

Ishte i vendosur për fitoren e demokracisë në Shqipëri dhe me rënien e komunizmit iu dha mundësia të kthehej përsëri në atdhe.

Me rastin e 90-vjetorit, me një numër bashkëpunëtorësh e miq të tij organizuam një veprimtari të bukur për të vlerësuar punën dhe veprën e tij. Në vitin 2018, kur Federata PanShqiptare Vatra e nderoi me një çmim special, pata fatin të mbaj fjalimin prezantues. Ka marrë shumë çmime e nderime, por gëzimi më i madh që ka pasur ishte pavarësia e Kosovës dhe ardhja e demokracisë në Shqipëri.

I paharruar qoftë kujtimi i Prof Sami Repishtit!”, thuhet në reagimin e Bajraktarit.

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime mes tyre edhe Nderi i Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita si dhe Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Back to top button