Hartimi i statutit të Asociacionit në Beograd?

Bislimi: S’ka vlerë për ne.-Rohde: Asociacioni duhet të themelohet në harmoni me kushtetutën
Lajçak: Ato që janë dakorduar duhet të zbatohen

Një draft-statut i asociacionit për Komunat me Shumicë Serbe bëhet me dije se ka nisur të hartohet në Beograd nga një numër i Organizatave Jo-Qeveritare, me mundësinë e diskutimit në nivel politik. Qeveria e Kosovës tha sot se çdo nismë e tillë është e pavlerë meqë nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të Kosovës. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë ndërkohë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta themelojë Asociacionin, por jo në modelin e Republikës Serbe.

Media në Beograd kanë njoftuar se dy organizata joqeveritare, fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” dhe Instituti Evropian për Paqe (EIP), janë angazhuar për të hartuar draft-statusin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe i cili, siç bëhet me dije, do të rishikohej nga OJQ-të e Kosovës dhe ato të Serbisë. dhe si i tillë do t’i prezantohet ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak.
I menjëhershëm ishte reagimi i Organizatave Jo Qeveritare, Fondacioni gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe Institutit Evropian për Paqe, të cilat e kanë përgënjeshtruar raportimin e gazetës serbe “Novosti” se u është besuar detyra për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Dy organizatat tona s’kanë marrë kërkesë apo mandat nga Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, Qeveria gjermane apo ndonjë palë tjetër për të zhvilluar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Diskutimet tona ishin të brendshme, duke përdorur informatat publike në dispozicion për tema të interesit publik, që është prerogativë e shoqërisë civile”, thuhet në njoftimin e tyre të enjten.
Ndërkaq, në Prisahtinë një nismë e tillë është e cilësuar si e pavlerë. Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, nuk ka pranuar të flas për, siç ka thënë, idetë se si planifikon Qeveria ta themelojë asociacionin.
“Jam zëvendëskryeministër i Kosovës, nuk jam në gjendje dhe as s’e kam për qëllim që të kontrolloj çka bëjnë OJQ-të në Serbi. Të gjithë janë të lirë të hartojnë drafte e strategji, por ato nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare. Ne i shohim si të pavlera”, ka theksuar Besnik Bislimi, zv/kryeministër i Kosovës .
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe sërish është rikthyer në debat publik. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se Kosova në Bruksel e ka marrë për obligim ta miratojë Asociacionin, por ka thënë se ai nuk nuk duhet të fokusohet si një republikë serbe. Ambasadori ka theksuar se ky asociacion duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Nderkaq Jörn Rohde, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, lidhur me kete ceshtje ka thene:
“Kuvendi e ka ratifikuar atë. Me marrëveshjen e Brukselit, Kosova ka marrë për obligim për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, prandaj ne presim që edhe kjo marrëveshje të zbatohet në praktikë. Natyrisht, në harmoni me Kushtetutën kosovare dhe natyrisht që Asociacionit të mos fokusohet si një republikë serbe. Në Evropë ka shumë modele sipas të cilave mund të bësh zgjidhjen së problemeve të tilla dhe ne presim nga Qeveria kosovare që ti qaset zgjidhjes së këtij problemi, pra të themelojë Asociacionit, që është një obligim i ratifikuar edhe nga Parlamenti i Kosovës”.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova duhet ta themeloj marrëveshjen për asociacionin.
“Sa i përket asociacionit Kosova ka 50 për qind të së drejtës së fjalës, që nënkupton se asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa marrëveshje me të, apo pa u pajtuar Kosova me të. Dëgjoj shpesh se nuk duam republikë të dytë serbe, besoj se edhe ne e kemi thënë qartë se askush nuk dëshiron republikë të dytë serbe në Kosovë. Ka një parim universal që thotë se ato që janë dakorduar duhet të zbatohen dhe këtë po ua themi të dyja palëve, në Prishtinë dhe Beograd. Në Kosovë keni bërë shumë zotime në 12 vite të dialogut dhe keni zbatuar, por ka edhe një listë me marrëveshje tjera që duhet të bëni, asociacioni është njëra prej tyre”, ka thene Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i BE-së për dialogun
Autoritetet në Serbi ndërkohë, kanë kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet, por kanë kundërshtuar që ai të jetë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Pak javë më parë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, kanë deklaruar se do të kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës nëse Asociacioni nuk do të themelohet.
Marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte nënshkruar në vitin 2015, por është hedhur poshtë në disa pika nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës./21Media

Back to top button