Haxhi Shala nuk deklarohet për akuzat e Speciales

Në paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haxhi Shala nuk është deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij ndaj tri akuzave. Para trupit gjykues, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se një gjë të tillë do ta bëjë në seancën e ardhshme.

Në seancën e sotme, atij i është lexuar aktakuza, ku i njëjti akuzohet për “tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale”.

Haxhi Shala, i cili ndodhet në paraburgim, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se Shalës i është caktuar një avokat mbrojtës kujdestar, deri në emërimin e një mbrojtësi përfundimtar.

Në paraqitjen para Dhomave të Specializuara, Haxhi Shala nuk është deklaruar në lidhje me fajësinë apo pafajësinë mbi akuzat që e rëndojnë.

Teksa u pyet nëse ka ndonjë koment në lidhje me arrestimin, transferimin dhe kushtet e paraburgimit, Shala tha “gjithçka është në rregull”.

Sekretarja e gjykatës teksa lexoi aktakuzën e konfirmuar tha se Haxhi Shala akuzohet për kërcënim të rëndë, pengim të personave zyrtar për kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurës penale.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, i njohur me nofkën “Topi”, është arrestuar më 11 dhjetor, ku një ditë më vonë u transferua në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ndërsa, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë arrestuar në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023, në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

Back to top button