Haxhiu akuzon SHSKUK-në për vdekjen e të riut nga Peja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka hedhur akuza për Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) për vdekjen e të riut nga Peja më 2 gusht [sot], i cili po trajtohej në QKUK pasi u plagos më 22 maj.
I riu vdiq në QKUK pas plagosjes së trefishtë më 22 maj në Pejë. Të plagosur kishin mbetur edhe babai dhe vëllai i tij. Babai 51-vjeçar kishte vdekur në fillim të qershorit. Për rastin janë arrestuar dy të dyshuar.
Haxhiu ka thënë se i riu nga Peja kishte nevojë për trajtim urgjent jashtë vendit, të cilin siç thotë ai, nuk ia mundësoi SHSKUK-ja me arsyetimin se është në gjendje stabile.
“Vdekja e të riut Jetart Berisha erdhi pas një gjendje shëndetësore që kërkonte trajtim mjekësor profesional të avancuar dhe kjo nuk i’u mundësua ngq SHSKUK. SHSKUK dhe MIQ e neglizhoi trajtimin e Jetart Berishës! Më shumë se dy muaj familja e tij kërkonin urgjentisht ta dërgonin për shërim në Itali, por Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimi Intensiv – MIQ nuk e nënshkruan dërgimin për trajtim jashtë vendit me arsyetimin se gjendja e tij është stabile. Mjekët italianë kishin sugjeruar që të trajtohet në Itali sepse gjendja e tij kërkonte intervenim te avancuar mjekësor për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të Jetartit. Si ndodhi që pas konstatimit të mjekëve tanë ‘se gjendja e tij është stabile’ Jetarti të ndërroj jetë?!”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.