Haxhiu: Çështjet më kritike me të cilat përballet gjyqësori janë lëndët e vjetra

Ministrja Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Tryezën e organizuar nga USAID, diskutoi për përmirësimin e zbatimit të drejtësisë procedurale në Gjykatat Themelore të Kosovës.
Haxhiu theksoi se një nga të drejtat themelore dhe procedurale të njeriut është edhe e drejta e gjykimit brenda kohës së arsyeshme dhe të garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë themelore të njeriut, si garanci për mbrojtjen e palëve nga vonesat dhe zvarritjet e procedurave gjyqësore.
“Siç e dimë, një nga çështjet më kritike me të cilat përballet gjyqësori i Kosovës aktualisht janë lëndët e vjetra – të grumbulluara – të cilat ndikojnë që të mos respektohet parimi i gjykimit brenda kohës së arsyeshme. Në anën tjetër, raportet e Komisionit Evropian për Kosovë dhe raportet e organizatave të shoqërisë Civile, në mënyrë të vazhdueshme theksojnë se lëndët e grumbulluara sidomos në procedurë civile dhe ekzekutimi i aktgjykimeve civile mbetet sfidues”, theksoi Ministrja e Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë, në kuadër të reformave në sistemin e Drejtësisë, i ka dhënë fokus të veçantë mbrojtjes së kësaj të drejte themelore procedurale të njeriut, me ç’rast ka themeluar grupin punues për hartimin e Koncept-Dokumentit i cili do të finalizohet brenda këtij viti dhe i cili e adreson realizimin e të drejtës së palëve në gjykim brenda kohës së arsyeshme; efektivitetin e mjeteve juridike, si dhe çështje të tjera me rëndësi me qëllim të zgjidhjes të problematikave që e pengojnë funksionimin e sundimit të ligjit në vend.
Ligji për Gjykatën Komerciale i cili do të hapë rrugë drejt themelimit të kësaj Gjykate, u vlerësua nga Ministrja si proces me ndikim tejet të madh në reformën në drejtësi, duke aluduar më tej edhe me themelimin e Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës, të cilat do të kenë impakt në kushtet më të mira të funksionimit të sistemit gjyqësor./21Media

Back to top button