Haxhiu e çon të kryeprokurori i shtetit raportin e Inspektoratit për Rastin Dehari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se Inspektorati i këtij institucioni, ka kryer inspektim rreth zbatimit të procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, për vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Haxhiu këtë të hënë në një konferencë për media tha se janë gjetur një sërë shkeljesh.
“Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK-së, përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave”, tha Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë shtoi se incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarë të SHKK-së, janë marrë para se t’i merrte Policia.
“Pra, është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD-së, kanë marrë kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes. Sipas legjislacionit në fuqi, në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale, autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është Policia”, shtoi ajo.
Haxhiu tha se në gjetjet e Inspektoriatit u theksua se në vitin 2016, për rastin e Deharit, ishin nxjerrë dy raporte kontradiktore. Njëri më 14 nëntor, e tjetri më 21 nëntor. Sipas Haxhiut, në raportin e parë, rasti u cilësua si vetëvrasje nga kryeinspektori, e në raportin e dytë si vdekje.
Ajo tha se u takon organeve të ndjekjes ta zbardhin nëse raporti është falsifikuar dhe nëse kryeinspektori nuk po e thotë të vërtetën.
“Në vend të suspendimit të menjëhershëm të stafit përgjegjës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ata e kanë vazhduar të jenë në punë deri më datë 21 nëntor 2016, ku e lë hapësirën për manipulim të provave dhe dëshmive”, shtoi ajo. Të çuditshme Haxhiu e konsideroi edhe transferimin e Naser Makollit, dëshmitari i rastit Dehari.
Derisa për vdekjen e Makollit, Haxhiu pyeti nëse mund të jetë e rastësishme.
“Mbi bazën e këtij raporti konstatohen veprime kontradiktore, të paqarta dhe lë dyshime të mëdha për manipulime të provave dhe deklaratave të akterëve të përfshirë në rast, prandaj thërrasim prokurorinë që të ndërmarrin masa adekuate dhe cilësore, në zbardhjen e së vërtetës në rastin Dehari”.
Haxhiu paralajmëroi se raporti me shkresat do të përcillet te kryeprokurori i Shtetit dhe do të dërgohet të organet gjegjëse, për shqiptim të masave ndaj personave të përfshirë në rast.
Ish-aktivisti Dehari, ishte gjetur i vdekur në qelinë e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor  të vitit 2016.

Back to top button