Haxhiu: E rikonfirmova përkushtimin e Qeverisë dhe MD-së për një gjyqësor të pavarur

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë dhe MD-së për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas dhe profesional në konferencën “E ardhmja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.

“Theksova se në rrugën reformuese, Republika e Kosovës tashmë ka filluar të shënojë rezultate në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën penale dhe civile, si dhe rezultate konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut. Në veçanti, adresova faktin se përpjekjet tona synojnë garantimin e pavarësisë, llogaridhënies, integritetit, cilësisë dhe efikasitetit të sektorit të drejtësisë në vendin tonë. Përmenda të gjitha reformat që kemi ndërmarrë që nga fillimi i mandatit dhe progresin e arritur me theks ato që ndërlidhen me Vettingun në sistemin e drejtësisë, pakon ligjore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin, adresimin e krimeve të luftës dhe veprimet që kemi ndërmarrë me qëllim të adresimit të dhunës në familje dhe me bazë gjinore”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.

Kjo konferencë regjionale po mbahet në Zagreb-Kroaci, organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Kroacisë në bashkëpunim Komisionin Evropian.

Aty po marrin pjesë ministra të Ballkanit Perëndimor, ata nga Ukraina, Turqia, Gjeorgjia, Moldova, si dhe përfaqësues nga BE-ja./21Media

Back to top button