Haxhiu: Jemi të përkushtuar për reformat në drejtësi
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë të përkushtuar për realizimin e reformave në drejtësi. Sipas saj, vetëm në këtë formë fuqizohet sistemi i drejtësisë dhe kthehet besimi i qytetarëve në këto institucione.
Megjithatë, ajo shtoi se kjo është sfiduese, por është rruga e vetme që Kosova të bëhet shtet i së drejtës.
“Si ministri e Drejtësisë ne jemi të përkushtuar për reformat në drejtësi, pasi vetëm kështu mund të fuqizojmë sistemin tonë të drejtësisë dhe vetëm kështu mund të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Është punë sfiduese, këtë e ndjerë gjatë këtyre dy viteve, por është rruga e vetme që kemi përpara që Kosova të jetë shtet i së drejtës”, theksoi ajo.
Këto komente Haxhiu i bëri të premten, gjatë shpërndarjes së certifikatave për kandidatët që kanë kaluar Provimin e Jurisprudencës.
Ajo pati edhe një porosi për të gjithë kandidatët, që detyrën e tyre në të ardhmen të ushtrojnë me përkushtim dhe profesionalizëm.
“Certifikimi i sotëm hap mundësi të reja në veçanti, në atë të ushtrimit të pozitave publike, pesha e së cilit do të përkthehet në kontributin tuaj të çmueshëm në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës dhe legjislacionit të sistemit tonë të drejtësisë. Çfarëdo përzgjedhje që do të bëni, shpresoj që të njëjtin do të ushtroni me përkushtim dhe profesionalizimin e tuaj maksimal”, shtoi Haxhiu.
Ndërkaq, shtoi se kandidatët që kanë kaluar provimin e jurisprudencës do të jenë vlerë e shtuar e shoqërisë në Kosovë.