Haxhiu kritikon opozitën: Përballë krimeve të Serbisë të jemi të unifikuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se Kuvendi i Kosovës miratoi një nga projektligjet me peshën më të madhe në këto vite funskionimi atë për Institutin për Krimet e Luftës.
“Për herë të parë, 23 vite pas përfundimit të luftës, Kuvendi votoi një projektligj me peshë të madhe për historinë e Kosovës atë për themelimin e Institutit që do të dokumentojë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin mbi popullin e Kosovës”, u shpreh ajo.
Megjithatë, ajo pati kritika për deputetët opozitarë të cilët nuk e votuan, duke thënë se përballë krimeve serbe duhet të ketë unitet.
“Nëse jo për diçka tjetër, përballë krimeve të Serbisë në Kosovë do të duhej të ishim të unifikuar. Një grup opozitar që thirren në emër të luftës, sot e patën mundësinë të përmirësojnë sadopak gabimet e tyre në të kaluarën. Në vend të rreshtimit në përkrahje të projektligjit nuk e mbështetën atë! Megjithatë, falënderoj deputetët mbështetës dhe zotohemi se do të jemi bashkë në Komisionin për Legjislacion për adresim të propozimeve”, shkroi Haxhiu në “Facebook”.
Kuvendi i Kosovës miratoi mbrëmjen e së premtes Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë. Pas debatit mes pozitës dhe opozitës, me 58 vota për, ky projektligj ka marrë mbështetjen në lexim të parë.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka njoftuar se në votim kanë votuar kundër katër deputetë.
Opozita ka qenë kundërshtuese ndaj strukturës së këtij Instituti, të cilën e kanë quajtur më shumë si “agjenci qeveritare”. Kritika ka pasur edhe për afatet me të cilën ka të drejtë të shtrijë fushëveprimtarinë e tij e që është 31 dhjetor i vitit 2000. Sipas opozitës, lufta ka përfunduar më 20 qershor 1999 dhe çdo vrasje që mund të ketë ndodhur duhet të trajtohen nga institucionet e drejtësisë.

Back to top button