Haxhiu: Negocimin dhe kontraktimin e armatimit nga ShBA-ja e ka bërë Kadri Veseli

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas pranimit të kërkesës për blerjen e raketave antitank, “Javelin”, ku ka thënë se e vërteta e blerjes së armatimit nga ShBA-ja, negocimin dhe kontraktimin e ka bërë ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, në vitin 2018.
Haxhiu tha se një pjesë e këtij armatimi, mjetet e blinduara “Humvee”, kishin arritur në Kosovë nga ShBA-ja më 25 korrik të vitit 2020.
“Pse ka pasë vonesa për pjesën tjetër të armatimit duhet te japin llogaridhënie qeveritarë e sotëm. Sot, kur dezertorët dhe sabotuesit e luftës çlirimtare flasin për luftë e kupton hipokrizinë e këtij pushteti, që abuzojnë me sigurinë e vendit për populizëm elektoral. Krahasuar me fuqinë ushtarake të Serbisë, Kosova vendi ynë do të jetë e sigurt vetëm me anëtarësimin në NATO dhe aleancë të përhershme me ShBA dhe BE”, shkroi Haxhiu.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuar dje se e kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 264 raketave antitank “Javelin”, të cilat kapin vlerën totale prej 75 milionë euro.