Haxhiu për miratimin e Ligjit për Byronë: Hap i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se ky është hap i rëndësishëm në forcimin e sundimin e ligjit.
“Në seancën e sotme, përveç tjerash, u miratuan në të dy leximet dy ligje të rëndësishme: Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligji për Gjykatën Administrative. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit. Falënderoj deputetët për angazhimin dhe mbështetjen e tyre në këtë proces, me shpresën që opozita të mos përdorë Gjykatën Kushtetuese me qëllim të zvarritjes së tyre”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Deputetët e Kuvendit e kanë miratuar projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ligji është miratuar me 62 vota për, kurse në sallën e Kuvendit nuk ishin deputetë të partive opozitare./21Media