Haxhiu thotë se me Ligjin për KPK-në do të eliminohen grupet klanore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se përmes votimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) do të mundësohet riorganizimi i këtij institucioni, duke përmendur eliminimin e koorporatizmit dhe të grupeve klanore në Këshill.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka thënë se tash do të ketë rritje të llogaridhënies, integritetit dhe profesionalizimit në sistem.
“Pas një maratone të shoqëruar me jo pak sfida e pengesa, më në fund votohet versioni i ri i ndryshimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Reforma e shumëpritur, do ta ri-organizojë Këshillin Prokurorial – me eliminim të korporatizmit dhe grupeve klanore në Këshill, e me rritje të llogaridhënies, integritetit dhe profesionalizmit në sistem”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo tutje ka thënë se ndryshimet në lexim të dytë në Kuvend u bënë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venedikut./21Media