Haxhiu – Vitisë: Me këtë ritëm do ta përfundoni mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të barnave

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i ka thënë ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia se me ecurinë aktuale të punës do ta përfundojë mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale.
Në qershor, Ministria e Shëndetësisë anuloi listën preliminare të çmimeve të produkteve medicinale. Në vendim u bë e ditur se ka pasur ankesa dhe disa prej pretendimeve janë konfirmuar nga Komisioni i Ankesave. Ankesat kishin të bënin me çmimet në disa produkte.
Deputeti i PDK-së në këtë komision ka thënë se lista ka pasur produkte me çmime shumëfish më të larta.
“Në disa prej analizave që i kemi bërë të asaj liste, del që ka rritje shumëfish të çmimeve nga 100 %. I kemi pas këtu anëtaret e Komisionit, kanë thënë që ka pasur gabime teknike. Ka pasur rritje deri në 3000 %. Të proklamosh ulje të çmimit e të nënshkruash listë me çmime me të larta – kjo nuk ka logjikë. Me ketë ecuri të punës do ta përfundoni mandatin e nuk do të ketë listë të çmimeve”, ka thënë ai.
Haxhiu po ashtu ka pyetur se sa është dëmi nga reshjet në depon e barnave.
Ligji që parashihte rregullimin e çmimit të barnave për blerjet publike dhe tregun privat ishte miratuar në korrik të vitit të kaluar. Lista me çmimet obliguese parashihej të bëhej për katër muaj, por kjo ende s’ka ndodhur.
Me këtë ligj parashihet që të bëhet unifikimi i çmimit të barnave në tregun privat, por me të do të ketë edhe çmime standarde edhe për produktet që blihen përmes prokurimit për institucionet shëndetësore publike.
Për pasojë, tregu farmaceutik është ende plotësisht i parregulluar sa i përket çmimit të barnave.
Pothuajse identik me këtë ligj në vitin 2019 ishte nxjerrë një udhëzim administrativ, por që nuk u zbatua asnjëherë, por gati asnjë vend në Evropë nuk e ka të parregulluar çështjen e çmimit të barnave./21Media