Haziri: U munduan ta godasin Rugovën edhe për së vdekuri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka akuzuar partinë në pushtet në Qeveri dhe në Komunën e Gjilanit, për “goditje të figurës së Presidentit (Ibrahim Rugova) edhe për së vdekuri”.

“Ky pushtet aktual i Gjilanit, ani pse pa kryetar, që po udhëhiqet nga zëvendësministra e këshilltarë nga jashtë, punën e parë që bëri është heqjen Akademisë përkujtimore për presidentit Rugova nga kalendari i ‘Flakës së Janarit’. Sërish u munduan ta godasin figurën e Presidentit edhe për së vdekuri. Këtë e bënë me porosi ani pse shkuan e u jargitën, duke e thyer kurrizin para varrit të tij në Prishtinë. Por, e mira e madhe në këtë demokraci e këtë liri është që familja e tij, besimtarët e tij, njerëzit, paqësorët e rugovistët e tij do ta nderojnë përjetësisht figurën e Presidentit”, ka thënë kreu i Degës së LDK-së në Gjilan, sipas njoftimit nga kjo parti.

Haziri ka thënë se Kosova e pavarur dhe e hapur ka qenë opsioni i Rugovës dhe “askujt tjetër”.

“U deshën më pak se dhjetë vjet që për këtë të pajtohen miqtë amerikanë dhe evropianë me këtë opsion të vetëm për të shkaktuar rehati, siguri dhe paqe në Ballkan. Këtë duhet ta besojnë edhe rivalët e tij, të cilët nën rrogoz vazhdojnë të sillën si armiq politikë, që zgjidhja dhe kompromisi që e ka dhënë Ibrahim Rugova është i paprekshëm dhe Republikë të dytë nuk mund të ketë kurrë në Kosovë. Ai i bindi të gjithë për opsionin e tij sepse e ka pasur paqen, falënderimin, mirënjohjen dhe kujdesin për njeriun, familjen dhe popullin e tij. Sot demokracia, sovraniteti dhe dinjiteti, siç i shihte presidenti Rugova, nuk janë të plota. Falënderim, mirënjohje dhe bekim për të gjithë ju që vazhdoni të besoni në politikë të paqes dhe të shtetit, e cila kalon nëpër derën e familjes në LDK”, është shprehur tutje ai.
Në emër të kryesisë qendrore të LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se Rugova ka qenë “diplomat i cili krijoi miqësi si asnjëherë më parë me vendet demokratike të Evropës dhe SHBA-në”./21Media

Back to top button