KFOR-i publikon pamjet nga heqja e barrikadave të fundit në veri

(Lajm i përditësuar)

“Të enjten, misioni i NATO-s, KFOR, përfundoi heqjen e disa automjeteve që po i bllokonin rrugët në Kosovën veriore, përmes vendosjes së njësive inxhinierike në zonat e “Kërrshit të Dudës” dhe Serbovcit”, thuhet në komunikatën e publikuar nga NATO-ja.
“Liria e lëvizjes është kthyer”, thuhet tutje nga KFOR.
KFOR-i ka deklaruar se qëndron i vëmendshëm dhe ka kapacitetin dhe personelin që të vazhdojë ta zbatojë mandatin e vet në baza ditore, duke kontribuar në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

17:00 – Heqja e barrikadave, NATO: Kemi aftësinë për sigurimin e tërë Ballkanit Perëndimor
NATO informoi se sot përfundoi heqjen e automjeteve që bllokonin rrugët në veri të Kosovës.
Në komunikatë, u potencua se kjo përpjekje u krye në përputhje me mandatin e KFOR-it të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Ky aktivitet vjen pas vendimit të marrë më 28 dhjetor 2022 për heqjen e barrikadave të vendosura në veri të Kosovës në dhjetor. Heqja e barrikadave u arrit si rezultat i përpjekjeve intensive të Aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të zbutur tensionet, me mbështetjen kryesore nga KFOR-i dhe misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). Demontimi i postblloqeve përfundimtare u krye në mënyrë të shpejtë, të sigurt për të shmangur incidente dhe rreziqe të tjera për sigurinë lokale.”, u bë e ditur në komunikatë.
U potencua se KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së plotësisht dhe në baza ditore, duke kontribuar për sigurinë në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, u nënvizua se NATO vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma kryesore për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin.
Misioni i KFOR-it në Kosovë, para dy ditësh ka kryer disa operacione inxhinierike në veri të vendit, duke i larguar nga rruga automjetet e bllokuara që kanë mbetur në atë pjesë.
Ndryshe, të enjten e 29 dhjetorit në veri të vendit serbët kanë larguar barrikadat e vendosura nga bandat kriminale në veri të vendit, por aty kanë mbetur disa kamionë të djegur nga vetë ata.
Ndërsa, vendosja e tyre është bërë për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili ditë më parë është dërguar në arrest shtëpiak.

Back to top button