UP: Heqja e flamurit kombëtar ka qenë veprim aksidental

UP thotë se si pasojë e një veprimi aksidental  vatra kryesore e dijës në këtë vend po përballet me akuza të rënda dhe keqinterpretim veprimi nga disa medie dhe individë të caktuar

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka sqaruar heqjen e flamurit kombëtar nga salla e senatit në Rektoratin e UP-së, duke thënë se ka qenë një veprim aksidental dhe i pa qëllimshëm.

UP nëpërmjet një komunikate thotë se si pasojë e një veprimi aksidental dhe të marrë në mënyrë vetjake, pa u konsultuar me asnjë anëtarë të menaxhmentit të UP-së, nga zyrtarja e arkës, Zelfije Abdyli, vatra kryesore e dijës në këtë vend po përballet me akuza të rënda dhe keqinterpretim veprimi nga disa medie dhe individë të caktuar.

“Përkundër këtij rasti tërësisht të paqëllimshëm, Ne u sigurojmë që Menaxhmeti i UP-së, e ka trajtuar këtë rast dhe ka marrë masat e duhura në lidhje me të. Në anën tjetër, Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ndjehet i fyer nga këto akuza në lidhje me pretendimin për heqje të qëllimshme të Flamurit Kombëtar, kur dihet që këtë simbol të shenjtë shtetëror e mbanë me krenari në zyrën e tij rektori Marjan Dema, si dhe ky flamur simbol i lirisë kombëtare valëvitet në secilën pjesë të kampusit të Universitetit më të vjetër në vend”, thuhet në sqarimin e UP-së.

Back to top button