Heqja e masave kufizuese të vendosura në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia, riktheu disa problematika në shoqërinë shqiptare. Krahas dhunës në familje, rritjes së numrit të divorceve, post pandemia riktheu dhe fenomenin e abuzimeve seksuale në kryeqytet.

Muajt maj dhe qershor shënojnë numrin më të lartë, ndërsa prej fillimit të vitit në Tiranë, janë regjistruar 13 raste, duke arrestuar 10 autorë. Ky numër krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, shënon një rritje të vogël prej 3 rastesh.

Psikologia Entela Binjaku tha se rikthimi i këtij fenomeni pas karantinës lidhet me një serë faktorësh.

”Mund të jenë edhe të natyrës psikologjike, çrregullime të shëndetit, çrregullime të faktorit kulturor”, tha ajo.

Binjaku theksoi se kohët e fundit vërehet sensibilizim i viktimave të abuzimit seksual,  për të bërë denoncime që më herët konsiderohej si tabu.

”Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është rritja e numrit të denoncimeve. Temat të tilla që lidhen me sekualitetin në përgjithësi, kanë qenë tema tabu për shoqërinë tonë. Pavarësisht se pas këtyre shifrave qëndrojnë dukuri negative, do të duhet të mendojmë edhe për një ndërgjegjësim të shoqërisë për të trajtuar tema të tilla të konsideruara të ndaluara për shumë kohë”, theksoi ajo.

Nga këto raste të cilat janë denoncuar dhe arrestuar, pranë gjykatës së Tiranës janë dërguar për gjykim vetëm 8 prej tyre, mes tyre dhe abuzimi seksual nga roja i shkollës, i cili abuzoi me vajzën 15-vjeçare./oranews