Heronjtë e flakëve kanë nevojë për ndihmë dhe kolegë të rinj

Heronjtë e flakëve në Kosovë, dita ndërkombëtare e tyre i ka gjetur edhe këtë vit pa sigurime shëndetësore, pa pajisje adekuate për punë, pa kompensime për ndërrimet e natës, orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe fetare, pa gradime dhe statusin juridik të pazgjidhur.
Shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka bëri të ditur për RTV21 se nëse zjarrfikësit lëndohen në vendin e punës, shpenzimet i paguajnë nga xhepat e tyre.
“Të gjithë ata të lënduar, mosha e ka bërë edhe të veten kanë edhe sëmundje, të gjitha prej xhepit i paguajnë shërimet. Është një plus që kemi pasur vetëm lëndime jo vdekje. Ju kam thënë çdoherë që të kenë kujdes për vete së pari, tani të shpëtojnë jetë”, tha ai.
Zeka tha se shumë zjarrfikës do të duhej të jenë në pension, por ju mungojnë zjarrfikës të rinj.
Ai theksoi se për t’u zgjidhur problemet e zjarrfikësve duhet pak punë dhe vullnet. Sipas tij, për 1 mijë e 500 banorë duhet të jetë një zjarrfikës.
“Para 10 vjetëve kur na thanë se do të kalojmë nga pushteti lokal në atë qendror, do të duhej brenda 1 vjet të zgjidhet, jo të na lënë në mes. Çdo send duhet të drejtohemi në Agjenci më pas në Komunë. Kjo e fundit na jep rrogat, rrymën dhe nxemjet i paguan, do të thotë na ligjërisht jemi me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ky problem është dashur me u zgjedh. Çdoherë kemi me thënë jemi me këmbëngulje që të kthehemi në menaxhim të Komunës, që të jemi më afër qytetarëve”, tha Zeka, duke shtuar se Komuna çdoherë mundohet t’ju dal në ndihmë.

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, ka thënë për rtv21.tv se Shërbimi i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit ka mbetur për vite të tëra jo vetëm i anashkaluar, por fatkeqësisht edhe i patrajtuar profesionalisht, teknikisht e ligjërisht.
I pyetur se çfarë duhet bërë shteti për të ndihmuar zjarrfikësit, Ahmeti theksoi se shteti vetëm duhet të zbatojë ligjin.
“Kur jemi te kompensimet, shteti vetëm duhet të zbatojë ligjin, pra ato kompensime shtesë zjarrfikësve u takojnë me ligjet në fuqi të Kosovës, por ato kompensime nuk bëhen në baza mujore, siç duhet të bëhen”, theksoi Ahmeti.
Tutje ai tha se duke e ditur se sa i rrezikshëm është profesioni i zjarrfikësit, Qeveria do të duhet sa për parë t’i bëjë sigurimet shëndetësore.
Ahmeti tha se kushtet e punës të zjarrfikësve si në mjete ashtu dhe pajisje janë shumë të rënda.
“Asnjë investim serioz nuk është bërë në këtë shërbim të rëndësishëm të sigurisë. Se kushtet e zjarrfikësve shpëtues janë në nivel krejtësisht të keq, këtu nuk ka dilema për askënd që profesionalisht apo praktikisht merret me këtë fushë. Nuk duhet të rrezikohet jeta dhe shëndeti i zjarrfikësve, duke mos i përmirësuar kushtet dhe pajisjet elementare për punën e tyre. Është urgjente gjetja e modelit buxhetor nga Qeveria për të bërë investimet e duhura”, përfundoi Ahmeti.

Dje, me rastin e shënimit të “Ditës Botërore të Zjarrfikësve”, Brigadën e Zjarrfikësve në Lagjen Emshir në kryeqytet e vizitoi kryetari i Komunës, Përparim Rama, i cili u premtoi përmirësim të kushteve./21Media

Back to top button