Hezbollahu e emëron Naim Qassemin si pasues të liderit të vrarë, Nasrallah
Hezbollahu e ka emëruar Naim Qassem pasues të liderit të vet të vrarë, Hassan Nasrallah, njoftoi të martën grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara.
“Këshilli Shura [qeverisës] i Hezbollahut u pajtua ta emërojë… Sheikh Naim Qassem sekretar të Përgjithshëm të partisë”, tha grupi i mbështetur nga Irani në një komunikatë.
Qassem ka qenë zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Hezbollahut prej vitit 1991, kur u zgjodh zëvendës i Abbas al-Musawit, liderit të atëhershëm të grupit i cili ishte vrarë nga një sulm izraelit më 1992.
Qassem e ka mbajtur këtë post kur Nasrallahu e mori drejtimin e grupit dhe shpesh ka punuar edhe si zëdhënës i Hezbollahut.
Nasrallahu u vra nga bombardimet izraelite muajin e kaluar, ndërsa një javë më vonë u vra edhe Hashem Safieddine, njeriu që pritej të emërohej pasues i tij.
Qassem është përfshirë në organizimin e fushatave zgjedhore të Hezbollahut për Parlamentin e Libanit prej se ky grup mori pjesë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 1992.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.