Hill iu shpreh ngushëllime familjeve të atyre që humbën jetën nga bombardimet e NATO-s

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka folur rreth bombardimeve të NATO-s që u zhvilluan 24 vjet më parë ndaj Serbisë.

Me këtë rast, ai iu ka shprehur ngushëllime familjeve të atyre që humbën jetën si pasojë e bombardimeve që zgjatën për 78 ditë.

“Unë ia kam kushtuar jetën diplomacisë – gjetjes së zgjidhjeve diplomatike për problemet në dukje të pazgjidhshme. Gjatë karrierës sime, kam mësuar se ndonjëherë diplomacia dështon. Kur ndodh, rezultatet mund të jenë tragjike. Unë shpreh ngushëllimet e mia personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka shtuar se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ndaj diplomacisë.

“Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë. Së bashku, ne mund të ndërtojmë të ardhmen më të mirë që populli serb meriton dhe dëshiron për brezat e ardhshëm”, ka shtuar Hill./21Media

Back to top button