Hill: Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në

(Lajm i përditësuar)


Hill përfundon ditën e parë të dëshmisë në Hagë

Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka përfunduar ditën e parë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

I thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, Hill pritet të dëshmojë për plot katër ditë.

Gjatë dëshmisë së sotme, Hill u bë dëshmitari i radhës së deklaroi se Thaçi nuk kishte kontroll mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Pos tjerash, diplomati amerikan foli edhe rreth marrëveshjes së Rambujesë, ku sipas tij, Thaçi një propozim të atëhershëm nuk ishte në gjendje ta pranonte, për të vetmen arsye, nuk përfshihej në dokument Pavarësia e Kosovës.

Gjatë dëshmisë së tij pro-Thaçit, Hill deklaroi po ashtu se takimi mes Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Millosheviqit ishte inkurajuar nga amerikanët.


Hill për Thaçin: Nëse do pranonte propozimin që nuk përfshinte Pavarësinë e Kosovës, më tha se e vrasin

Dëshmia e Hillit tani është e përqendruar rreth bisedimeve në Rambuje më 1999, dhe rolit të Hashim Thaçit në to.

Hill tha se Thaçi nuk e pranoi dokumentin e marrëveshjes për shkak se pavarësia e Kosovës nuk përmendej në të.

I pyetur nga mbrojtja se pse ai nuk e pranonte dokumentin, Hill theksoi: “Thaçi më tha se nëse do ta pranoja, do të më vrisnin sapo të kthehesha në Kosovë”.

Hill tha se Thaçi e kishte thënë këtë në dy raste.

“Unë nuk e pyeta si apo nga kush [do të vritej], por thjesht e kuptova se ai nuk ishte në pozitë për të thënë ‘po’”, tha Hill.


Hill: Thaçi nuk ishte personi që e përshkroi Millosheviqi

Hill u pyet nga mbrojtja për pretendimet e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, lidhur me Hashim Thaçin gjatë një takimi mes tyre në vjeshtën e vitit 1998.

Avokati Misetiq e pyeti Hillin nëse Thaçi ishte “luftëtar i madh dhe kishte marrë pjesë në vrasje” siç pretendonte Millosheviq, gjë të cilën diplomati amerikan e mohoi.

“Jo vetëm që unë vlerësova që Thaçi nuk ishte ai person që e përshkruante Millosheviqi, por nuk e kisha dëgjuar këtë gjë nga askush dhe mendoj se është e rëndësishme që kuptohet e gjitha, sepse gjatë gjithë asaj kohe unë kam qenë në kontakt me presidentin Ibrahim Rugova, dhe ai kishte mundësi të shumta t’i denonconte njerëzit me emër, por nuk e ka bërë”, tha Hill.


Hill: Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në

Tani Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Hashim Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, tha Hill për takimin e parë me Thaçin.

I pyetur nëse kishte përshtypjen nëse Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill thekoi se nuk kishte bazë për një gjë të tillë.

“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por, nuk mu krijua përshtypja se ai ishte një person që në kishte kontroll këtë organizatë të madhe, ose që drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, tregoi ai.


Hill thotë se UÇK-ja donte që ajo të ishte zëri i Kosovës, jo Rugova

I pyetur nga mbrojtja se cilat ishin synimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hill tha se ajo donte që vetë UÇK-ja të ishte zëri i Kosovës dhe jo Ibrahim Rugova.

“UÇK-ja donte të punonte me Shtetet e Bashkuara sepse mendonte se ato mund t’i ndihmonin Kosovës ta fitojë pavarësinë afatmesme”, tha Hill.

“Mu krijua përshtypja se ata nuk donin të punonin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ata bënë çfarë mundën që ta prishnin reputacionin e LDK-së”.

“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, shtoi ai.

I pyetur nëse UÇK-ja e kishte synim përfundimtar ta udhëhiqte Kosovën, Hill u përgjigj: “Nuk e kam dëgjuar këtë konkretisht, por çfarë kam dëgjuar se ata donin autonomi dhe të ishin të pavarur”.


Hill: UÇK-ja nuk ishte strukturë me organizim hierarkik

I pyetur nga mbrojtja e Thaçit nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte strukturë vertikale me organizim hierarkik, Hill tha “jo”.


Hill: Gelbard e quajti UÇK-në “terroriste”, sikur i dha sinjal sulmit serb në familjen Jashari

I pyetur nga mbrojtja nëse ambasadori Gelbard i ishte referuar UÇK -së si organizatë “terroriste”, Hill tha “po”.

Hill shpjegoi se Gelbard ishte bazuar në përvojën e tij në Amerikën Latine kur e cilësoi të tillë UÇK-në.

“Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte organizatë terroriste, dhe kishte fjalë se kjo e kishte shpejtuar këtë ngjarje, pra sulmin në familjen Jashari. Gelbard sikurse kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte. Besoj se nuk ka provë për një gjë të tillë, por ajo është diskutuar, nëse i dërguari amerikan e quan UÇK-në terroriste, sikur u jep sinjal serbëve të lëviznin kundër tyre”, tha Hill.

Hill shtoi se Gelbard, më pas, mori qëndrim shumë më të ashpër ndaj serbëve, pasi ndodhi ngjarja në Prekaz, dhe përfshiu bisedë të ashpër me Millosheviqin”.

“Millisheviqi më pas deklaroi se ai nuk donte të takohej më me Gelbard. Gjithë çështja në maj filloi me fjalimin apo komentet e Gelbardit nga përvojat e mëhershme”, tha Hill.

Hill tha se Shtetet e Bashkuara kanë mekanizëm për ta shpallur terroriste një organizatë të huaj dhe se, sipas tij, ato nuk e kanë cilësuar të tillë UÇK-në.


Hill: Ishte e vështirë të gjeje njerëz në UÇK që flisnin me autoritet

Hill shpjegoi se ka qenë e vështirë të gjendeshin njerëz në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të cilët mund të flisnin me autoritet.

“Robert Gelbard, i cili kishte mbajtur pozitën që e mora unë pas tij, ai kishte pasur takime me shqiptarë të Kosovës në Zvicër dhe ai kishte dëgjuar se ata ishin udhëheqës të UCK-së. Nuk ka prova që ata ishin udhëheqës të saj”, tha Hill.


Hill: Në çështjen e Kosovës u përfshiva për herë të parë në maj të ’98-tës

Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, e pyeti Hillin se kur ishte përfshirë për herë të parë për zgjidhjen e tensioneve në Kosovë.

Hill theksoi se “jam përfshirë për herë të parë në maj të vitit 1998”.

“Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright, e cila më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador amerikan në Maqedoni, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë”, tha ai.

Hill theksoi se në rolin e tij atëkohë i raportonte Albrightit. /rel


Hill tregon vitin se kur është takuar me ish presidentin Rugova

Diplomati amerikan, Christoher Hill në dëshminë e tij në Hagë tregoi vitin se kur është takuar me ish presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën.

“Nuk kam pasur rast që të përfshihem me liderët, udhëheqësit e Kosovës. Megjithatë po them që duke kthyer 1999-tën, mund të them tani që kam pasur mundësi që të takohem me zotin Rugova në rezidencën e ambasadorit amerikan. Pra kjo ka qenë biseda, ose takimi im i parë që kam pasur me Ibrahim Rugovën. Jam takuar më pas me të në maj të vitit 1998”, tha ai. /21Media


Christopher Hill, dëshmitari i radhës i Thaçit e nis dëshminë në Hagë

Diplomati amerikan, Christoher Hill është dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hill i cili mban kodin 1DW-008, është dëshmitari i pestë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit e cila përfaqësohet nga avokati Luka Mishetiq.


Rikthehen seancat në Hagë, sot nis dëshmia e Christopher Hill

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sipas kalendarit, sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.

Pas një ndërprerjeje të shkurtër, anulimi i seancave të mëparshme ishte bërë për shkak të shtyrjes së dëshmisë së diplomatit amerikan, Christopher Hill.

Sipas kalendarit të gjykatës, dëshmia e Hill do të nisë sot në orën 14:00 dhe do të zgjasë deri në 17:00.

Seancat pritet të vazhdojnë edhe gjatë tri ditëve të ardhshme, nga ora 09:00 paradite.

Back to top button