Himara “Nderi i Kombit”
Krahina e Himarës u dekorua me titullin “Nderi i Kombit”
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ishte sot në Himarë, ku nderoi krahinën me dekoratën “Nderi i Kombit”. Dekorata iu dorëzua kryetarit të bashkisë së Himarës në një aktivitet të zhvilluar në qytetin bregdetar.
Motivacioni që e shoqëron këtë dekoratë është “Për kontributin e shquar në historinë e luftërave të kombit tonë për liri dhe emancipim shoqëror, për traditën e lavdishme, të karakterizuar ndër shekuj nga bujaria dhe besa. Bijtë e saj, me pushkë e penë, kanë ditur të shkruajnë faqe të lavdishme në identitetin tonë kombëtar, dhe të shpalosin vlera të rralla etnofolklorike kulturore”.
Gjithashtu, presidenti Nishani i ka dhënë titullin “Naim Frashëri”, ansamblit artistik “Bejke e Bardhë” të Pilurit si dhe grupin karakteristik të Himarës. Ky titull u dha për ruajtjen e traditës, riteve dhe kostumeve popullore dhe interpretimin e valleve, melodive të zonës.
Me titujt “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dhe “Mjeshtër i Madh”, Presidenti Nishani ka nderuar figura të shquara të zonës së Himarës, Lefter Çipa, ndërsa pas vdekjes u nderuan Neço Muka, Odhise Kasneci, Koço Çakali dhe Dhamiano Bollano.
Presidenti Nishani ka vlerësuar cilësitë mjaft të vyera të njerëzve të zonës së Himarës, si trimërinë, kulturën dhe dashurinë e paepur për arsimin.
Presidenti evokoi ngjarje që lanë gjurmë të pa shlyera në memorien historike të kombit siç ishte pjesëmarrja e himarjotëve në kryengritjen e parë antiosmane në Shqipëri, pas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, jehona e së cilës mbërriti në oborret e mbretërive të Evropës, apo roli i tyre specifik në lëvizjen dhe kryengritje, organizimi i himarjotëve dhe rezistenca e tyre si dhe angazhimet në Klubin “Labëria” që i dhanë hov të ri përhapjes së shkrimit të shqipes në shtëpitë dhe fshatrat e Himarës.