Hiqen barrierat ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

Shqipëria heq barrierat për patatet nga Kosova

Çmimi i ri referent i aplikuar nga autoritet e Shqipërisë për produktet e patates nga Kosova është hequr sot, ka thënë ministri në detyrë i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi gjatë një takimi që kanë pasur të mërkurën.

Krasniqi tha se në dy javët e fundit kanë pasur komunikim të vazhdueshëm në lidhje me atë që tashmë është bërë temë ditët e fundit me vendosjen e një çmimi të ri referent për patatet nga Kosova që eksportohen në Shqipëri. Ai tha se në bazë të një vendimi të sqaruar nga autoritetet e Shqipërisë,  nuk do të implementohet çmimi referent.

Krasniqi theksoi se në këtë drejtim me homologun e tij nga Shqipëria dhe me gjithë zyrtarët e Qeverisë së Shqipërisë kanë pasur një pajtueshmëri që të ketë një qasje lehtësuese ndaj njëra-tjetrës dhe në asnjë mënyrë të pengesave. Ai më tutje i shfaqi besimin se nuk do të ketë më probleme të tilla, siç ka ndodhur tash me çmimin referent të patates.

Ndërsa, ambasadori Minxhozi ka siguruar të gjithë prodhuesit e patates në Kosovë që barriera fiskale për pataten është thyer. Sipas Minxhozit, ka qenë një ngërç ose një ndalesë e pa studiuar në planin ekonomik. Ai konsideron se situata e krijuar ka përfunduar dhe duhet të shtohet intensiteti i bashkëpunimit të përbashkët në mënyrë që situatat e tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Minxhozi ndër të tjera, tha se Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës kanë punuar me përkushtim të madh dhe ka arritje drejt unifikimit të tregut, ku sipas tij, në këtë suazë ka rëndësi shumë të madhe tregu bujqësor blegtoral.

Ndërsa, ministri Krasniqi theksoi se Kosova dhe Shqipëria kanë një bujqësi komplementare, ku sezonet nuk janë konkurrues njëra me tjetrën në raste të caktuara edhe për artikujt apo produktet bujqësore të kulturave të ndryshme.

Krasniqi i bëri thirrje të gjithë prodhuesve kosovarë të patates që të vazhdojnë punën e tyre, ku sivjet pret që jetë një vit i suksesshëm me rendimente të larta të patates. Patatja e Kosovës, sipas tij, është konkurruese jo vetëm në tregun  e Shqipërisë,  por edhe në tregjet tjera./21Media

Back to top button