Historia e vuajtjeve nuk do të mbetet vetëm në kujtesën kolektive
Qeveria e Kosovës rinisi punën e një Instituti për krime të luftës me synimin për të hulumtuar dhe dokumentuar krimet e luftës të kryera në Kosovë. Instituti u rithemelua pasi një i tillë qe shuar vite më parë me vendim të Qeverisë. Por në Kosovë ka pak shpresa se Instituti i ri do të ndryshojë gjendjen.
Një projektligj për themelimin e Institutit për krimet e luftës, që sipas Qeverisë së Kosovës do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, rikthen fokusin në hetimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Instituti do të rinisë punën e tij pas shuarjes së një institute të mëparshëm nga Qeveria Haradinaj, i cili deri në përfundim të punës pati publikuar tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb, si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.
Me projektligjin e ri, Qeveria thotë se po bën hapin e parë drejt zgjidhjes së një numri krimesh të kryera. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, menjëherë pas miratimit të projektligjit ka thënë se kjo është hera e parë Republika e Kosovës do të miratojë një projektligj për hulumtimin e krimeve në Kosovë. Sipas saj projektligji përcakton kompetencat dhe përgjegjësit e Institutit.
“Ky projektligj trajton organizmin dhe funksionimin e Institutit, përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e tij. Po ashtu parashihet që me akte të tjera nënligjore të rregullohet struktura funksionale, sistemi i brendshëm dhe personat përgjegjës që do të jenë në kuadër të këtij Instituti”, ka thënë Haxhiu.
Por ndërkohë, njohës të fushës, thonë se themelimi i Instituti është stërzgjatur. Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare Bekim Blakaj thotë se hulumtimi dhe grumbullimi i provave për krimet e luftës do të marrë shumë kohë.
Në anën tjetër drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, pritjet nga Instituti i ka të vogla dhe njëkohësisht thotë se deri më tash nuk është bërë diqka madhore për t’i dokumentar krimet e luftës.
Fondi për të Drejtën Humanitare ka publikuar kohë më parë shënimet mbi pasojat e luftës në Kosovë duke bërë të ditur se brenda periudhës së viteve 1998 – 1999 në Kosovë janë vrarë mbi 13.500 qytetarë. Që prej përfundimit të luftës ende të pagjetur konsiderohen mbi 1600 persona./21Media