Kosova fiton miqësoren e parë ndaj Malit të Zi

Kombëtarja e Kosovës U17 (vajzat) ka shënuar fitore në ndeshjen e parë miqësore kundër Kombëtares së Malit të Zi U17, e cila u zhvillua sot në Kampin Nacional në Hajvali. Dardanet e reja patën paraqitje të shkëlqyeshme në këtë takim, ndonëse edhe mysafiret rezistuan mjaft mirë.
Rezultati i kësaj ndeshje u zhbllokua në minutën e 9-të, kur Masha Tomasheviq shënoi nga penalltia. Megjithatë, vashat e drejtuara nga Sanije Krasniqi, arritën shumë shpejtë ta përmbysin rezultatin. Fillimisht shifrat i barazoi Rita Feka, në minutën e 11-të, derisa në minutën e 19-të Shenarta Bela realizoi golin e epërsisë 2:1. Por, malazezet u rikthyen shpejt me golin e dytë të Masha Tomasheviqit, në minutën e 23-të, duke u mbyllur pjesa e parë me shifrat 2:2.
Përkundër dominimit dhe rasteve të njëpasnjëshme të futbollisteve tona, ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në minutat e fundit të ndeshjes, kur Sahare Berisha shënoi nga penalltia, në minutën e 89-të, teksa në minutat shtesë për rezultatin final u përkujdes Albina Gegaj.
Miqësorja e dytë zhvillohet të enjten, në orën 11:00, po ashtu në Hajvali./21Media

Back to top button