Historia për historianët, politikanët t’i afrojnë popujt

Zaev  ka thënë historia duhet t’i afrojë qytetarë

Figurat historike siç janë iluministët mbarësllavë Kirili dhe Metodij por edhe Car Samoili janë faktor bashkimi ndërmjet dy popujve dhe shteteve. Kështu deklaroi sot nga Sofja kryeministri Zoran Zaev. Sipas tij, pas ftohjes së marrëdhënieve, ka ardhur koha që Maqedonia dhe Bullgaria më në fund ta përforcojnë bashkëpunimin e ndërsjellë. Zaev theksoi se historia duhet t’i afrojë qytetarët e të dy vendeve dhe e përsëriti qëndrimin se politikanët duhet t’i largojnë duart nga historia, me të cilën duhet të merren historianët.

“Për mua, kjo është edhe një arsye apo provë se politikanët nuk duhet të merren shumë me historinë. Për ne, Kirili dhe Metodij janë iluministë mbarësllavë që janë meritorë për mësimin e shkrim-leximit. Ka shumë arsye që këta të jenë krenari për të gjithë rajonin. Kjo gjë neve na lidh 100 herë më shumë sesa që na ndan”, tha Zaev, shkruan TV21.TV

Në konferencën për shtyp, Zaev së bashku me ekipin të përbërë nga zëvendëskryeministri Osmani dhe disa ministra, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Ai edhe një herë kërkoi nga Bullgaria por edhe nga fqinjët tjerë mbështetje për Maqedoninë në rrugët e saj euro-integruese.

“Jam i bindur se kryeministri Borisov dhe qeveria e tij janë të lumtur për faktin se mund t’i ndihmojnë fqinjit të tyre. Të gjithë po e vëreni se sinqerisht ka dëshirë për të ofruar ndihmë dhe mbështetje, gjë për të cilën ne kemi nevojë”, tha Zaev.

Përderisa Zaev dhe Borisov njoftuan se është duke u kompletuar Marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, Trajko Veljanovski nga VMRO-DPMNE thotë se kjo çështje prek identitetin dhe historinë e popullit maqedonas, andaj nevojitet analizë serioze dhe konsultime më të gjera para se marrëveshja të nënshkruhet.

“VMRO-DPMNE kërkon të dijë se çfarë marrëveshjeje ka arritur Zaev gjatë vizitës së tij në Sofje. Populli maqedonas kërkon të shohë se çfarë përmban marrëveshja të cilën Zaev u pajtua ta nënshkruajë”, tha Veljanovski.

Sot, në Sofje, takim realizuan edhe ministrat e jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Ekaterina Zaharieva. Diplomatët biseduan për marrëdhëniet dypalëshe dhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Zaharieva është shprehur se përkulja e dy kryeministrave dhe delegacioneve të tyre para përmendores së Car Samoilit në Sofje ishte historike, me çka hapet një faqe e re në zbatimin e parimeve të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Hapi i ardhshëm në këtë drejtim do të jetë pjesëmarrja e kryeministrave Borisov dhe Zaev në shënimin e Kryengritjes së Ilindenit. Këto hapa, Zaharieva i karakterizoi si qasje evropiane drejt historisë së përbashkët./21Media

Back to top button