HISTORIKE: Kosova organizon Lojërat Mesdhetare 2030

(lajm i përditësuar)

HISTORIKE: Kosova organizon Lojërat Mesdhetare 2030

Është aprovuar kandidatura e Prishtinës për të organizuar Lojërat Mesdhetare 2030, për herë të parë në histori të shtetit.
Aprovimi është bërë me 55 vota për, tri abstenime dhe tetë kundër.

Lojërat Mesdhetare 2030, Kurti: Betohemi për infrastrukturë tejet moderne

Përderisa po shqyrtohet kandidatura e Prishtinës për pritjen e Lojërave Mesdhetare 2030, Kurti tha se betohet për një infrastrukturë tejet moderne.

“Ashti siç thuhet, shtëpia i përket zotit dhe  mysafirit. E kuptoj se ky rol vjen me përgjegjësi të madhe dhe duhet bashkëpunim. Prezantojmë një koncept të ri për lojërat”, tha Kurti.

“Me Shqipërinë do të punojmë me entuziazëm për të mirëpritur komunitetin sportiv nga tri kontinente. Në emër të qytetarëve dhe sportistëve tanë dua të shpreh mirënjohjen time, për një përpjekje të vazhdueshme për një botë më paqësore dhe një shoqëri më të bashkuar”, përfundoi ai.

Serbia dështon të ndryshojë agjendën për kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetare

Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, në Heraklion të Greqisë, ka mbajtur një mbledhje për caktimin e vendit që do të organizojë këtë garë për vitin 2030.

Në njërën nga pikat e rendit të ditës është kandidatura e Kosovës “Prishtina 2030”.

Por, në këtë mbledhje pati tendencë nga Serbia që diskutimi për Kosovën të hiqet nga rendi i ditës. Përfaqësuesi i Komitetit Olimpik të Serbisë ka kërkuar që rendi i ditës të ndryshohet dhe të hiqet kandidatura e Kosovës, por kjo kërkesë është refuzuar me faktin se e njëjta duhet bërë më herët, e jo 5 minuta para nisjes së diskutimit.

Drejtuesit e mbledhjes kanë thënë se rendi i ditës është aprovuar, dhe s’ka ndryshim.

Kalohet pengesa kryesore, Kosova një hap më afër organizimit të Lojërave Mesdhetare

Është ndryshuar me aklamacion pika 7 e rregullores së Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare e cila ua ndalonte shteteve që nuk kishin dalje në detë të organizonin ngjarje të këtij niveli.

Kjo njëherit ishte pika kryesore që shihej si pengesë për kandidaturën e Kosovës për të marrë organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.

Në pjesën e dytë të asamblesë do të diskutohen edhe shumë pika të tjera në këtë asamble, derisa për kandidaturën e Kosovës do të diskutohet dhe votohet pas orës 15:00.

Prezantimin e kandidaturës do ta bëjë Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, ndërsa një fjalim të shkurtët për këtë kandidaturë para asamblesë do ta mbajë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /21Media

Back to top button