Holanda miraton rezolutë për vendosjen e vizave për Serbinë

Dhoma e Përfaqësuesve e Holandës miratoi një rezolutë që i bën thirrje qeverisë së saj të avokojë në Bruksel për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për Serbinë, nëse Serbia nuk respekton politikën e jashtme të BE-së.
Propozimi pati mbështetjen e koalicionit qeverisës dhe deputetëve të opozitës. Ai është dorëzuar nga dy deputetë të dy partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, Jeoren van Weinharden nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) dhe Shord Shordsma nga Partia Demokratët 66.
Por, propozimi u mbështet edhe nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste (PS) në opozitë, Jasper van Dijk.
Deputeti Jeoren van Weinharden ndau në Twitter se propozimi i tij u mbështet nga Dhoma e Përfaqësuesve të Parlamentit holandez.
“Dhoma e Përfaqësuesve mbështet propozimin tonë për një qasje më të rreptë ndaj Serbisë nëse presidenti Vuçiç nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Ndërprerja e procesit të pranimit të Serbisë në BE mund të bëhet një opsion. Ne nuk do të hezitojmë ta përdorim atë”, tha Van Weinharden.
Një ditë para inicimit të rezolutës në parlament, Sekretari i Shtetit për Drejtësi dhe Siguri, Erik van der Burg, iu përgjigj pyetjeve parlamentare të Van Wijngaarden për shtimin e migrimit nëpër Serbi. Ai tha se qeveria “ndan shqetësimin e komisionerit evropian Johansson për rritjen e fluksit përmes Serbisë dhe sheh nevojën për të kundërshtuar rrjedhën përmes Ballkanit Perëndimor”, por gjithashtu mirëpret hapat e ndërmarra nga Serbia në drejtim të harmonizimit me politikën e vizave të BE-së dhe do të vazhdojë për të monitoruar zhvillimin e situatës dhe për të ushtruar presion nëse është e nevojshme.
Në sistemin institucional të Holandës, Parlamenti ka mandatin që t’i japë udhëzime qeverisë për zhvillimin e politikës së jashtme. Për shembull, kur Holanda bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë, nisma erdhi nga parlamenti./21Media

Back to top button