Hoti: Angazhim maksimal për shëndetin dhe edukimin

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Goran Rakiq, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, mori pjesë në takimin me kryetarët e Komunave, në të cilin u diskutua për bashkërendimin e aktiviteteve për menaxhimin e përhapjes së pandemisë Covid-19, si dhe për përgatitjet që po bëhen për fillimin e vitit të ri shkollor.

Hoti i falënderoi kryetarët e komunave për punën që po bëjnë për ta kaluar sa më lehtë gjendjen aktuale si pasojë e pandemisë COVID 19.

Hoti derisa rikujtoi se tashmë janë mbajtur disa diskutime përmes platformave online. Në këtë kontekst, ai vlerësoi se është shumë mirë që sot po takohen, në këtë pritje të fillimit të ri shkollor dhe në vlerësim të situatës dhe masave që i kanë marrë deri më tash sa i përket pandemisë dhe masave për menaxhimin e pandemisë COVID 19.

Po ashtu, kryeministri tha se ka gjithmonë një hapësirë për një bashkëpunim më efikas, më të mirë në mes të ministrive dhe komunave dhe për këtë shtoi se është i vetëdijshëm që për këtë po merren në baza ditore çdo ditë, çdo natë me ekipet që janë në terren për të mbikëqyrë zbatimin e masave.

“Dhe, them me kënaqësi që trendi i rasteve të reja ka filluar të bjerë, por, kjo nuk është shenjë që ne ia kemi dalë në krye dhe e kemi futur plotësisht në kontroll këtë pandemi, duke qenë se numri i rasteve me fatalitet fatkeqësisht po mbetet mjaft i lartë dhe plot familje po humbin të dashurit e tyre. Gjithashtu, jemi edhe para fillimit të ri shkollor, ministri i Arsimit me bashkëpunëtorët e tij ka bërë një punë të mirë në studimin e përvojave të vendeve të ndryshme sa i përket fillimit të ri shkollor duke pasur parasysh edhe shëndetin e nxënësve, të arsimtarëve në shkolla, por në të njëjtën kohë për t’u siguruar që nuk mbetemi mbrapa sa i përket realizimit të planprogramit dhe sigurimit të cilësisë në Arsim”, përfundoi Hoti./21Media

Back to top button