Hoti i quan farsë takimet publike për Buxhetin

Ish kryeministri, Avdullah Hoti i ka quajtur farsë takimet publike për buxhetin e vitit 2023, të cilat Qeveria e Kosovës ka filluar t’i mbajë nëpër qytete.
Sipas tij takime të tilla duhet të mbaheshin para përgatitjes së buxhetit.
“Konsultime për buxhet do të duhej të mbaheshin me biznese për mosrealizimin e investimeve kapitale. Konsultime do të duhej të mbaheshin me Kryetarët e Komunave për nevojat e tyre, të cilëve
Qeveria po tenton tua marrë buxhetin nga të hyrat vetanake të viteve paraprake. Para përgatitjes së buxhetit do duhej të bisedohej me organizata buxhetore, të cilat për shkak të shkurtimeve buxhetore nuk kanë mundësi të ofrojnë shërbimet për të cilat janë të mandatuar, siç është rasti i RTK-së apo i universiteteve publike.”, shkroi Hoti në Facebook.
Më tej ai ngriti pyetje duke thënë se si do të arsyetohen qeveritarët që sipas tij sivjet nuk i realizuan projektet kapitale – as projektet në vazhdim e as të rejat që ishin projekte që vetë i planifikuan?
“Si do të arsyetohet Kryeministri para qytetarëve për afër 700 mil euro që i mban në bankë pa nevojë, e nuk i rrit pagat e policëve, të mjekëve, të arsimtarëve, të shërbyesve civil etj., të cilëve u janë zvogëluar pagat për 20% për shkak të inflacionit?! Si do të arsyetohet Ministri i Financa për 276 mil euro apo 9% e buxhetit total për 2023, të cilën shumë e mban të pashpërndarë në projekte, që është sa dyfishi i buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes?!”, shkroi Hoti.
Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për Buxhetin më 17 nëntor. Në votim kanë marrë pjesë gjithsej 65 deputetë, nga ta 64 kanë votuar pro projektligjit, një ka qenë kundër dhe nuk ka pasur asnjë abstenim. Projektligji për Buxhetin nuk u përkrah nga opozita./21Media

Back to top button