Hoti kërkon reagimin e QUINT-it dhe të BE-së rreth deklaratave të Vuçiqit

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti i ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve anëtare të QUINT-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar reagimin e tyre, pas deklaratave nxitëse të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, si dhe presionit dhe kërcënimeve të Listës Serbe, ndaj pakicave be në Kosovë.

‘’Këto deklarata si dhe presioni e frikësimi i pakicave jo-serbe, kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe të prishin proceset demokratike në vendin tonë. Këto sjellje janë të pa pranueshme. Ne kërkojmë nga ju që të merrni të gjitha masat e nevojshme ndaj kësaj qasje të rrezikshme dhe ta bëni të qartë se ndërhyrja në proceset politike në Kosovë nuk mund të kalojë pa pasoja, për ata që janë të përfshirë’’, ka shkruar kryeministri Hoti.

Po ashtu në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Hoti, ka shprehur përkushtimin institucional të Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, si garantuesin më të mirë për shprehjen e vullnetit të lirë të njerëzve dhe krijimin e institucioneve demokratike.

Vuçiq dje kaka thënë se në takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë së Serbisë, u diskutua “për gjitha drejtimet e mundshme të rrezikimit të sigurisë së Serbisë” dhe ka thënë se në këtë kontekst, Serbia duhet të kujdesen për veten. Këtu ka përmendur edhe Kosovën.

“A e dini se çfarë probleme kemi në Kosovë dhe Metohi, kemi edhe probleme tjera rajonale, së bashku me probleme të llojit të tretë, të cilat kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet gjeopolitike të fuqive të mëdha, dhe ku ne shpesh jemi vendi rreth të cilit përplasen interesat e tyre. Ne kemi bërë shumë për të përmirësuar gatishmërinë luftarake, duke blerë armët më moderne”, ka thënë Vuçiq./21Media

Back to top button