Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mbrëmë ka zhvilluar një operacion në Karaçevë të Kamenicës. Përveç arrestimeve që janë bërë, atje ka filluar edhe rrënimi i kazinove. Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duke thënë se kjo dëshmon se institucionet e Kosovës janë të afta.

“Operacioni i policisë në Karaçevë, i mbështetur edhe nga mekanizmat tjerë, është dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

I pari i ekzekutivit është shprehur mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion sipas tij kompleks e delikat.

“Ky është vetëm fillimi i kthimit të NORMALITETIT në çdo fushë”, ka përfunduar i kreu i Qeverisë së Kosovës.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, aksioni është kryer nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale. 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë janë arrestuar./21Media