Hoti: Marrëveshja që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të reja pune

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Besnik Tahiri, Driton Selmanaj, Albulena Balaj – Halimaj, Goran Rakiq si dhe ministrat Meliza Haradinaj, Arban Abrashi, Blerim Kuçi dhe Selim Selimi, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili përbëhej nga i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori Richard Grenell, kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në ShBA, (DFC) Adam Boehler, përfaqësues të USAID-it, kryetari i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në ShBA.

Fillimisht, është zhvilluar një takim i të dyja delegacioneve, në të cilin kryeministri Hoti e ka njoftuar delegacionin amerikan për prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe angazhimin e saj për rimëkëmbje ekonomike.

Kryeministri Hoti i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, si dhe në projektet konkrete për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Pas takimi, në një ceremoni të veçantë, kryeministri Avdullah Hoti dhe kryeshefi Ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në ShBA (DFC), Adam Boehler, kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët të Kosovës dhe ShBA-ve.

Më pastaj, kryeministri Hoti, së bashku me ambasadorin Grenell dhe me kryeshefin Ekzekutiv të DFC-së, Adam Boehler, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët me gazetarë.

“Ne sot ishim të nderuar të presim në Qeverinë e Kosovës delegacionin nga ShBA-të, të kryesuar nga ambasadori Grenell. Ishte një nder i veçantë me një delegacion të agjencive kyçe të ShBA-ve për zbatimin e marrëveshjes, të cilën e kemi arritur në Uashington më datë 4 shtator. Prezenca e tyre sot besoj që flet një gjë, tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e Presidentit Trump, të Administratës së tij, të ambasadorit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij, për zbatimin e një marrëveshjeje që po cilësohet me plot të drejtë marrëveshje historike, hap tepër i madh drejt finalizimit të marrëveshjes finale në mes të dy vendeve. Kishim një bisedë të gjerë dhe të detajizuar për të gjitha pikat e marrëveshjes. E them me kënaqësi dhe e kam për nder ta them që do të lëvizim shpejt për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Tanimë është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe në regjion dhe bashkë me këtë momentum të ri ekonomik besoj se do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike. Kjo marrëveshje që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të reja pune, do ta shndërrojë Kosovën dhe regjionin në regjion më të integruar në aspektin e infrastrukturës dhe të zhvillimit ekonomik. Ne jemi angazhuar komplet si qeveri, i kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe tash presim që në javët e ardhshme, konkretisht ministrat përkatës në qeveri, bashkë me pjesën e Administratës së ShBA-ve, të lëvizin konkretisht në zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë Hoti./21Media

Back to top button