Hoti: Marrëveshjen e Washingtonit po e kundërshtojnë ata që ishin kundër Rambujesë

 

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të premten në Prizren se Marrëveshjen e Washingtonit, që i solli Kosovës 1 miliard investime, përfshirjen e FSK-së në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, njohjen nga Izraeli etj, po e kundërshtojnë të njëjtit njerëz që i kanë kundërshtuar të gjitha proceset e shtetndërtimit, duke filluar nga Marrëveshja e Rambujesë që solli lirinë e Kosovës.

“Ata nuk kanë ide dhe as vizion, sepse nuk shohin përtej interesave të tyre personale dhe partiake. Nuk lënë gjë pa bërë për një grusht vota dhe pak pushtet”, tha kryeministri Hoti.

Hoti tha se askush më mirë se qytetarët e Prizrenit nuk e di se çfarë sjellë qeverisja eksperimentale.

“Jam i bindur se me fitoren e LDK-së më 14 shkurt edhe në Prizren, vjeshta e këtij viti, përveç se do ta zhbëjë pandeminë, do t’i vyshkë përfundimisht ekperimentuesit që pasuan qeverisjen korruptive disavjeçare të kësaj komune nga ata që Prizrenin e konsideronin hambar vetëm për vota”, tha Hoti në Prizren.

Duke folur për programin e LDK-së në këto zgjedhje, Hoti tha se prioritet është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimin euro-atlantik i Kosovës.

Ai bëri thirrje që më 14 shkurt të votohet LDK me numrin 132. /21Media

Back to top button