Hoti: Në kulmin e inflacionit, Qeveria rriti ngarkesat tatimore në pronë

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka analizuar Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme, ku e ka quajtur veprim të paprecedent rritjen e ngarkesave tatimore në pronë, duke thënë se të gjitha qeveritë normale i kishin ulur ngarkesat tatimore pas inflacionit në vitin 2022.

“Në fillim të vitit 2023, kur të ardhurat reale ishin ulur dukshëm nga inflacioni i vitit 2022, Qeveria Kurti e rriti ngarkesën e tatimit në pronë. Si rezultat, në 2023 Qeveria ka mbledhur 33% më shumë të hyra nga tatimi në pronë nga qytetarët dhe bizneset krahasuar me 2022. Ky ishte një veprim i paprecedent. Për tu përballur me inflacionin, të gjitha qeveritë normale përgjithësisht i ulën ngarkesat tatimore për qytetarët”, ka shkruar Hoti.

Ai ka përmendur edhe se si përmes Ligjit të ri, Qeveria do të fillojë mbledhjen e tatimit në tokat bujqësore të kultivuara, ashtu që pronarët e tokave do të duhet të paguajnë tatim edhe nëse e punojnë tokën.

“Sivjet, Qeveria nis mbledhjen e tatimit në pronë edhe në tokat bujqësore të kultivuara. Kjo vjen si rezultat i ndryshimit të ligjit të tatimit në pronë që ndodhi vitin e kaluar. Në ligjin paraprak, neni 10, pika 4, specifikohej se “TATIMI NË PRONË NUK VENDOSET MBI NJËSITË E KULTIVUARA BUJQËSORE TË PARCELAVE”. Qëllimi i këtij neni ishte që të nxiteshin pronarët e tokave bujqësore të kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim. Me ligjin e ri, neni 3, pika 2, fshihet pika 4 e nenit 10 të ligjit të vjetër. Tani, pronarët e tokave bujqësore obligohen të paguajnë tatimin pavarësisht a e punojnë tokën apo jo”, thotë ai.

“Anomali” tjetër e Qeverisë aktuale sipas Hotit është “zbatimi i normës progresive të tatimit në pronë”.

“Me nenin 6 të ligjit të ri, Qeveria vendosi shkallë progresive të tatimit në pronë varësisht nga vlera e pronës. Ky veprim tregon mungesën e përvojës institucionale dhe të njohurive ekonomike e fiskale lidhur me politikat tatimore. Fakti që norma e tatimit në pronë vendoset mbi vlerën pronës, e cila vlerë përcaktohet nga tregu i hapur, atëherë vetë ngarkesa e tatimit në pronë është progresive për nga natyra e llogaritjes së saj – sa më e lartë vlera e tregut të pronës, aq më e lartë është ngarkesa e tatimit në pronë. Përvojat ndërkombëtare nuk i rekomandojnë normat progresive të tatimit në pronë. Organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë kanë vlerësuar se ky ndryshim në tatimin në pronë në Kosovë është bërë pa asnjë analizë paraprake dhe konsultim me akterët relevantë, siç janë komunat, bizneset, OJQ-të dhe grupet e qytetarëve në përgjithësi”, thekson Hoti.

Sipas tij ndryshimet e bëra me ligjin e ri i kanë reduktuar instrumentet ligjore për mbledhjet e borxheve të tatimit në pronë, të cilat borxhe për periudhën 2018-2022 janë vlerësuar në nivel prej 56% të ngarkesës totale tatimore.

Problem tjetër që vështirëson menaxhimin e tatimit në pronë sipas Hotit është mungesa e përgatitjeve për zbatimin e normës progresive të tatimit në pronë. Projekti PROTAX2, që e mbështet Qeverinë në çështjet e tatimit në pronë, nuk është përshtatur me ligjin e ri. Kjo pasi fondet e këtij projekti janë të bllokuara nga masat e BE-së nga data 1 korrik 2023. Norma progresive e tatimit në pronë do të jetë ngarkesë shumë e madhe veçanërisht për biznese që kanë prona të vlefshme.

Back to top button