Hoti: Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Samitin e Ballkanit Perëndimor

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, në Tiranë.

Hoti ka thënë se nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës se samiti në Tiranë, përveç ndonjë emergjence kombëtare.

“Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim. Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Tutje, Hoti ka shkruar se Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara se të mbahej ky samit.

“Sipas komisionarit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, ka shkruar Hoti.

Kujtojmë se Kryeministri, Albin Kurti ka marrë pjesë virtualisht në Smitin e Tiranës./21Media

Back to top button