Hoti: Nuk shkojmë në veri për të rrahur gjoks

 

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha të dielën gjatë tubimit elektoral në Vushtrri se raportet Kosovë-SHBA që ishin dëmtuar nga qeveria Kurti, u kthyen në rrugën e duhur falë qeverisjes së LDK-së.

“Që nga dita e parë kam punuar për të sjellë normalitet në qeverisje. Pra formula ishte normalitet, stabilitet dhe zhvillim dhe kjo u shpagua. Vetëm pas disa muajsh unë mora ftesë dhe shkova në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen që e fuqizoi shtetin e Kosovës si në ekonomi, ashtu në fushën diplomatike, duke sjell njohjen nga Izraeli. Sot doli një letër e presidentit të ri amerikan, Joe Biden që e vulosi miqësinë Kosovë-SHBA, miqësi të cilën e filloi, e ndërtoi dhe e ruajti, LDK-ja e presidentit Rugova”, tha Hoti.

Ai tha se qeveria e drejtuar prej tij, ka menaxhuar me procese shumë të vështira, duke filluar nga pandemia, ndihmat në ekonomi dhe riparimi i raporteve me aleatët e Kosovës.

“Vetëm LDK mund të çojë përpara procese të mëdha. Ne jemi njerëz të dëshmuar që kërkojmë besimin tuaj më 14 shkurt për të vazhduar me përmbylljen e procesit të dialogut, me zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, me ndërtimin e rrugës nga Prishtina, jo vetëm deri në Vushtrri, por deri në veri të Kosovës. Ne nuk jemi njerëz që shkojmë në veri për të rrahur gjoks, por punojmë për zhvillimin e gjithë Kosovës. Ne as nuk dalim në rrugë për të folur me megafon dhe për të shpërndarë parulla si në regjimet e mëparshme”, tha Hoti.

Ai tutje tha se askush nuk mund ta bartë frymën rugoviane të shtetndërtimit në kampet tjera politike.

“Faktet janë fakte, e shteti, shteti, dhe LDK e ka obligim do ta mbroj shtetin e Kosovës nga ata që po angazhohen për ta rrënuar atë”, tha Hoti./21Media

Back to top button