Hoti paralajmëron protestë, kritikon Haxhiun për neglizhencë ndaj deklaratave të ShBA-së

Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiut, e cila sot ka thënë se nuk është në dijeni për thirrjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë lidhur me përfshirjen e Kosovës në projektin amerikan të gazit.
Hoti ka paralajmëruar se së shpejti sheshet do të mbushen me protestues për këtë çështje.
“Kur të mbushen sheshet me protestues e shihni sa serioze është çështja. Dhe sheshet do të mbushen së shpejti. Për vite me radhë, kur paralajmërimet kanë ardhur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi parë një qasje për t’i minimizuar, për t’i sulmuar ose për t’i shpërfillur. Serioziteti ndaj një çështje jetike për të ardhmen e vendit tregon se çfarë prioritetesh ka kjo qeverisje. E papranueshme”, ka shkruar Hoti.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk është në dijeni për thirrjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë lidhur me përfshirjen e Kosovës në projektin amerikan të gazit.
E pyetur nga mediat, ajo është përgjigjur shkurt se nuk e ka parë këtë reagim.
“Nuk e kam parë, nuk e kam parë”, tha shkurt Haxhiu.
Disa ditë më parë, e ngarkuara më Punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, përmes një editoriali, i ka bërë thirrje Kosovës që t’i bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Prattipati ka vlerësuar se Kosova duhet të veprojë shpejt për të shfrytëzuar këtë mundësi, duke theksuar se afati po mbaron.
Ajo ka paralajmëruar se vonesat për marrjen e një vendimi të tillë, mund ta lënë Kosovën si të vetmen në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.
Ndërsa sot, nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se SHBA është e gatshme për të bashkëpunuar me industrinë energjetike amerikane dhe Qeverinë e Kosovës për një të ardhme të sigurt energjetike përmes diversifikimit të furnizimit me energji elektrike, ku përfshihet edhe Gazi i Lëngshëm Natyror (LNG)
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë me industrinë energjetike të SHBA-së dhe Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhmen energjetike të Kosovës përmes diversifikimit të furnizimit me energji, duke përfshirë edhe LNG-në amerikane”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?