Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në seancën plenare theksoi se sot po shqyrtohen disa marrëveshje ndërkombëtare të qeverive paraprake, jo vetëm të qeverisë së fundit.

Hoti tha se për marrëveshjet ndërkombëtare, sa ka qenë LDK-ja në opozitë, vet kjo parti ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme.

Ai po ashtu ka kërkuar nga deputetë që sot të mbështetet mocioni për futjen në rend dite edhe shqyrtimi i projektligjit për rishikimin e buxhetit 2020, ku është paraparë fondi prej 384 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike.

“E vërteta është kjo, se për marrëveshjet ne kemi kërkuar si opozitë seancë të jashtëzakonshme për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe gjatë gjithë kohës tjetër jemi sjell si opozitë. Prandaj, unë ju kërkoj që të merrni parasysh këtë, sepse këto marrëveshje mundësojnë realizimin në praktikë të pakos për rimëkëmbje ekonomike, që është vazhdimësi e masave të qeverisë paraprake i shtuar tash edhe me masa të reja. Buxhetin 2020 e keni pranuar në kuvend, ne do të kërkojmë që të futen në procedura parlamentare me një herë pas një ore në seancën tjetër të radhës. Unë ju ftoj që ta përkrahin këtë mocion për ta future në rend dite buxhetin për 2020, ku është paraparë fondi prej 384 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike. Një pjesë e madhe e këtij fondi mbulohet nga buxheti i rregullt pasi kemi rishikuar komplet dinamikën e projekteve kapitale, por një pjesë e konsiderueshme e këtij fondi për rimëkëmbe ekonomike mbulohet prej marrëveshjeve që janë ën procedurë për votim në kuvend”, tha Hoti.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Memli Krasniqi, duke ia kujtuar kryeministrit Hoti, tha se LDK sa kanë qenë në opozitë nuk kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare për tre muaj me radhë, të cilat kanë qenë marrëveshje milionëshe.

“Nuk i keni votua për hatër të qytetarëve por për hatër të europarlamentarëve dhe për hatër të presionit që e keni pasur prej zyrës së BE-së, kjo është e vërteta. Ne kemi ardhur këtu dhe kemi mbyll seancat disa herë dhe arsyetimi juaj ka qenë bëni votat. Herën e parë që nuk i keni votuar, arsyetimi juaj ka qenë nuk po sillet mirë kryetari I Kuvendit”, tha ai.

E kryeministri Hoti tha se asnjë marrëveshje në mandatin e kaluar nuk ka mbetur pa u votuar për shkak të mungesës së votave të opozitës.

“E vërteta është se asnjë marrëveshje në mandatin e kaluar nuk ka mbetur pa u votuar për shkak të mungesës së votave të opozitës”, tha ai.

Debati po vazhdon rreth marrëveshjeve ndërkombëtare.