Banka Botërore ka sugjeruar sot Kuvendin e Kosovës që të ratifikojë Projektin për Forcimin e Sektorit Financiar për të kapitalizuar Fondin Kosovar për Garantim të Kredive, në vlerë prej 25 milionë dollarësh, pasi kjo do të ndihmonte në përballimin e gjendjes ekonomike ndaj pandemisë COVID-19.

Në një postim në Facebook, Banka Botërore shkruan se për shkak të strukturës së ekonomisë së Kosovës, ndikimi i COVID-19 mbi ndërmarrjet mikro, të vogla, dhe të mesme është i ashpër.

“Shumë ndërmarrje me më pak se 10 punëtorë, siç janë ato që ofrojnë shërbime hoteliere dhe argëtim, mirëpo edhe ndërmarrjet që eksportojnë, nuk janë të qëndrueshme dhe nuk mund të vetëmbrohen.”, thuhet në shkrimin e BB-së.

Banka Botërore përkujton se ka ristrukturuar Projektin për Konkurrueshmëri dhe Eksport në vlerë 15.3 milionë dollarë për t’i përkrahur më mirë këto ndërmarrje në përballimin e krizës, përmes granteve.

Po ashtu, Banka Botërore ka aprovuar në maj 2019 një kredi koncesionale prej 25 milionë dollarë për Projektin për Forcimin e Sektorit Financiar, për të kapitalizuar Fondin Kosovar për Garantim të Kredive dhe për të lehtësuar qasjen e ndërmarrjeve në kredi komerciale.

“Mirëpo meqë projekti ende nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, fondet nuk janë në dispozicion për qëllimin e tyre. Marrë parasysh ndikimin e pandemisë në ekonomi, është e nevojshme të mobilizohen këto fonde që kanë qëndruar të pashfrytëzuara që një kohë të gjatë”, thuhet në një status të Bankës Botërore.