Hoti: Pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët

Paqartësia në dialogun me Serbinë dhe Marrëveshja e Ohrit po ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë, ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Sipas tij, dakordimi në Ohër e ka betonuar status quo-në në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Hoti ka thënë me këtë paqartësi politike nuk mund të ketë as investime vendore.

“Asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë. Një investitorë i huaj që ishte në procedura për të marrë statusin e investitorit strategjik u refuzua nga Qeveria, edhe pse vendimi i Qeverisë ishte dërguar për miratim në Kuvend”, ka shkruar ai në Facebook.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se bizneseve nuk po u ofrohet siguri as në politikat e brendshme ekonomike.

“Pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me komunitetin e bizneseve, Qeveria mori këto vendime: i ndryshoi normat tatimore të tatimit në pronë, të cilat u bën progresive dhe e rritën deri në trefish ngarkesën e tatimit në pronë për biznese; vendosi tua marrë komunave menaxhimin e zonave ekonomike dhe të vendos ato zona nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të një Agjencie të re Qeveritare; dhe vendosi të shfuqizojë ligjin për investime të huaja dhe ligjin për investime strategjike. Të dyja këto ligje i shkriu në kuadër të ligjit të investimeve të qëndrueshme, i cili do ta dëmtoj shumë përceptimin pozitiv që ka Kosova sa i përket mbrojtjes së investimeve të jashtme”, ka shtuar ai.

Back to top button