Hoti: Plotësimi i kërkesës së SBAShK-ut nuk shkakton problem në buxhet

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se SBASHK-u e ka vetëm një kërkesë që ka implikime financaire: 100 euro në muaj deri në miratimin e “Ligjit të Pagave”.
Sipas Hotit, plotësimi i kësaj kërkese Qeverisë do t’i kushtojë 2.9 milionë euro në muaj, pasi në arsimin parauniversitar janë të punësur 28 mijë e 834 persona, prej tyre 23 mijë e 33 mësimdhënës parauniversitar, 3 mijë e 276 personel ndihmës, 919 personel edukativ në çerdhe dhe 1 mijë e 606 staf adminsitrativ.
“Rrjedhimisht: 28,834 të punësuar x 100 Euro në muaj = 2.9 mil Euro në muaj. Asnjë problem në buxhetin e shtetit nuk shkaktohet nga plotësimi i kësaj kërkese. Bilanci bankar i Qeverisë është rekord i lartë, rreth 600 mil euro në korrik, për shkak të: (1) mosrealizimit të projekteve kapitale dhe (2) rritjes së të hyrave tatimore nga inflacioni i lartë”, tha Hoti.
“Për më tepër, Qeveria ka ndarë rreth 6 milionë euro për të paguar punëtorët e larguar nga puna në Telekomin e Kosovës”, shtoi ai.
Në Kuvendin e Kosovës sot është duke u diskutuar për situatën në arsim, ku u bë thirrje që Qeveria të gjej një zgjidhje për të ndërprerë grevën e mësimdhënësve. Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se greva po përdoret si armë kundër tij./21Media

Back to top button