Hoti: Projekti i gazit amerikan, kauzë për të dalë në protesta

Anëtari i kryesisë së LDK-së dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me çështjen e projektit të gazit amerikan dhe politikat energjetike të vendit.
Përmes një reagimi publik, Hoti ngriti tri pyetje që, sipas tij, janë thelbësore për qytetarët dhe politikën në Kosovë. Ai pyeti pse kryeministri Albin Kurti e ka refuzuar projektin e gazit amerikan në kohën kur vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik, pse gjatë gjashtë viteve të qeverisjes nuk janë ndërtuar kapacitete të reja energjetike dhe kujt i shkon për shtati që Kosova të mbetet e varur nga importi i energjisë.
Hoti tha se projekti i gazit nuk është vetëm çështje ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me orientimin gjeopolitik të Kosovës, sigurinë energjetike dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai kritikoi edhe opozitën, duke vlerësuar se kjo temë shpesh trajtohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa shtoi se kauza të tilla duhet të jenë në qendër të angazhimit politik.
Sipas Hotit, kauzë për protesta demokratike ka qenë edhe suspendimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 23” në vitin 2023, si dhe pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator të vitit 2025.
Në fund, ai vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve të fundit pasqyron, sipas tij, mungesën e një politike me vizion, kauzë shtetërore dhe guxim politik.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?