Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, me të cilët ka diskutuar për gjendjen ekonomike në vend, me theks të veçantë për pasojat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe angazhimin e Qeverisë për rimëkëmbje ekonomike.

 “Pakoja për rimëkëmbje ekonomike është e bazuar në nevojat e qytetarëve dhe bizneseve që po përballen me sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19, njëherit është në harmoni të plotë edhe me kapacitetet tona institucionale dhe financiare”, tha kryeministri Hoti

Më tej, kryeministri Hoti tha se Qeveria është e përkushtuar fuqishëm në ruajtjen e stabilitetit financiar në Kosovë.

Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për programe të reja financiare ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, me ç’rast kryeministri Hoti i falënderoi bashkëbiseduesit dhe u shprehi mirënjohjen e thellë që ky institucion i rëndësishëm vazhdon ta mbështesë vendin tonë.

Ndërsa, përfaqësuesit e FMN-së duke e vlerësuar bashkëpunimin e mirë me kryeministrin Hoti, theksuan se do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën edhe më tutje me programet e tyre./21Media